Kerry paralajmëron Iranin se mund të mos ketë marrëveshje
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, nuk ka dashur që të flasë për vijat e kuqe të paraqitura nga lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, por ka paralajmëruar se bisedimet me Iranin mund të mos përfundojnë me marrëveshje, nëse Teherani refuzon të zgjidh çështjet e pazgjidhura...

Negociatorët shpresojnë që të arrijnë marrëveshje deri më 30 qershor për të frenuar ambiciet bërthamore të Iranit, por Kerry tha se kjo gjë nuk do të ndodhë nëse Irani vazhdon që të mos bëjë lëshime të cilat po kërkohen nga Shtetet e Bashkuara dhe nga fuqitë e tjera botërore, për të plotësuar parametrat e një marrëveshjeje të proklamuar në prill.
“Mund të ndodhë kjo gjë nëse iranianët nuk përmbushin krejtësisht masat për të cilat ne jemi pajtuar në Lozanë, e në një rast të tillë nuk do të ketë marrëveshje”- ka thënë sekretari Kerry në një konferencë për media në Uashington para se të nisej për raundin e fundit të bisedimeve në Vjenë.
Nëse Irani do të mund të kënaqë botën se programi i saj bërthamor është krejtësisht paqësor “do të përcaktohet në ditët e fundit, nëse çështjet e pazgjidhura janë apo jo duke u adresuar”- tha Kerry.
