Maqedoni
Inteligjenca artificiale, institucionet dhe bizneset përballë ndryshimit
18.11.2026 15:03
Institucionet dhe kompanitë duhet të jenë në hap me zhvillimet teknologjike dhe ta përdorin më gjerësisht inteligjencën artificiale....

Institucionet dhe kompanitë duhet të jenë në hap me zhvillimet teknologjike dhe ta përdorin më gjerësisht inteligjencën artificiale. Në konferencën e Odës Ekonomike për Teknologji Informative dhe të Komunikimit - MASIT u diskutua se si këto mjete mund t’i ndihmojnë bizneset të bëhen më konkurruese dhe institucionet t’u ofrojnë qytetarëve shërbime më të shpejta. Përmes projektit “Vezilka”, me vlerë mbi 5,5 milionë euro, Qeveria synon të zhvillojë një model gjuhësor në maqedonisht për përdorim në administratën publike.
“Fillimisht, përmes trajnimeve, punonjësit e sektorit publik do të përgatiten për përdorimin e këtyre mjeteve. Më pas, ato do të përdoren në raste konkrete dhe mbi to do të ndërtojmë sisteme të caktuara.”, - deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
“Ne si Qeveri përpiqemi t’i mundësojmë të gjitha kushtet që janë pjesë edhe e legjislativës dhe e infrastrukturës, me qëllim që industria e IT-së të mund të rritet, të krijohen vende të reja të punës, të krijohet vlerë shtesë dhe në atë mënyrë të rritet edhe ekonomia.”, - theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski.
Ndërkohë, kryetari i MASIT-it, Jordan Dimitrovski, tha se inxhinierët e rinj tashmë e kanë më të vështirë të gjejnë punë. Ai kërkoi më shumë praktikë gjatë studimeve.
“Po bisedojmë me universitetet që gjatë studimeve të ketë më shumë mësim praktik, që studentët t’i përdorin më shumë këto mjete dhe, kur të diplomohen, të dinë si të përfshihen në detyrat e punës.”, - u shpreh kryetari i MASIT-it, Jordan Dimitrovski.
Dimitrovski pret që inteligjenca artificiale të marrë gradualisht përsipër detyrat e përsëritura, përfshirë një pjesë të punës në programim. Sipas tij, kjo do të shtojë nevojën për rikualifikim, ndërsa sektori tashmë ka mungesë specialistësh në sigurinë kibernetike dhe në shkencën e të dhënave.
BELINDA KOKA ADEMI
