Ekonomi
Kuvend, opozita kërkon llogari për borxhin në FPI
18.11.2026 15:28
Borxhi ndaj shtyllës së dytë të pensionit kalon 40 milionë euro, dhe mbi 650 mijë qytetarëve anëtarë të këtij fondi nuk u janë transferuar mjetet me kohë....

Borxhi ndaj shtyllës së dytë të pensionit kalon 40 milionë euro, dhe mbi 650 mijë qytetarëve anëtarë të këtij fondi nuk u janë transferuar mjetet me kohë. Këto të dhëna i publikoi deputeti i LSDM-së, Jovan Mitrevski, në seancën për pyetje deputetësh. Ai pyeti ministrin e Politikës Sociale, Gjoko Vellkovski, nëse do ta shkarkojë drejtorin e Fondit Pensional pas këtyre të dhënave shqetësuese, të cilat i bazon në raportin e Entit për Revizion.
“Në raportin e revizorëve qëndron se në janar - shkurt të vitit 2026, rreth 40 milionë euro, para të qytetarëve, 1/3 e kontributit për sigurim pensional invalidor që duhet të transferohet në shtyllën e dytë pensionale, nuk janë transferuar.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Jovan Mitrevski.
Vellkovski: Borxhi është krijuar më herët
Por, ministri Vellkovski theksoi se raporti për të cilin flet deputeti, i referohet gjendjes në vitin 2024 dhe se borxhi është akumuluar shumë më herët, nga Qeveria e mëparshme.
“Së pari, raporti i revizionit për të cilin po flisni, është i vitit 2024. Nëse mbaj mend mirë, kjo Qeveri erdhi diku në korrik të atij viti. Buxheti ishte votuar nga Qeveria e mëparshme. Kështu që ato mjete që i lexoni, borxhi është krijuar shumë më herët.”, - theksoi ministri i Politikës Sociale, Gjoko Vellkovski.
Bajrami: Ka vonesa, por obligimet shlyhen
Drejtori i agjencisë “MAPAS”, nga ana tjetër, pranoi se kohë pas kohe ka vonesa, por se obligimet shlyhen brenda afatit ligjor.
“Në afatet ligjore, Ministria e Financave kryen transferin. Ndonjëherë ka edhe vonesa, mirëpo nuk i tejkalon afatet ligjore që i ka të përcaktuara me ligj. Transferi i fundit ka qenë më datën 4, 5 dhe 7 të këtij muaji. Janë transferuar mbi 20 milionë euro në shoqëritë pensionale.”, - u shpreh drejtori i Agjencisë “MAPAS”, Remzi Bajrami.
Ndërkohë u bë e ditur se rreth 11 mijë punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë pa sigurim shëndetësor, për shkak se nuk janë mbuluar me kohë kontributet ndaj tyre.
BENJAMIN ARIFI
