Sëmundja pulmonare obstruktive kronike, shkaktarë, duhani dhe ajri i ndotur

18.11.2026 17:11

Instituti për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkulozit me rastin e Ditës Botërore...

Instituti për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkulozit me rastin e Ditës Botërore të Sëmundjes Pulmonare Obstruktive Kronike, kryen kontrolle falas për qytetarët, për vlerësimin e funksionit të frymëmarrjes dhe zbulimin e hershëm të sëmundjes. Sipas tyre, kjo sëmundje është shumë e shpeshtë tek qytetarët dhe çdo i dhjeti person mbi 40 vjeç përballet me këtë sëmundje. Mjekët thonë se shkaktari kryesor për këtë sëmundje është duhani dhe ajri i ndotur.
 
“Faktori kryesor për këtë sëmundje është pirja e duhanit. Fatkeqësisht RMV-ja, në nivel evropian, sipas statistikave është në krye të listës për persona që konsumojnë duhan. Kjo sëmundje shfaqet kur të rinjtë fillojnë duhanin nën moshën 15 vjeç, pastaj sa vite dhe sa cigare në ditë i konsumojnë. Problemi i dytë për këtë sëmundje është ajri i ndotur si brenda në shtëpi varësisht se me çka ngrohen qytetarët, ashtu edhe jashtë nga industria, automjetet etj.”, thanë nga Instituti për Sëmundje të Mushkërive.
 
“Motoja për këtë vit është diagnostikimi i hershëm i kësaj sëmundje që të intervenohet më herët me terapinë adekuate. Qytetarëve që u bëjmë kontrolle këtu, u shohim rezultatet dhe ata që kanë nevojë për analiza shtesë, i drejtojmë për në Institut.”, thotë mjekja. 
 
Mjekët thonë se në RMV çdo i dyti person konsumon duhan, ndërsa 13.6 për qind e të rinjve të moshës 13 deri në 15 vjeç konsumojnë ndonjë formë të duhanit, sidomos cigare elektronike, të cilat janë të rrezikshme për shëndetin dhe shkaktojnë dëme në mushkëri. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI