Tatimi për punëtorët jashtë vendit, s’ka retroaktivitet dhe vlen njësoj për të gjithë

18.11.2026 17:11

Në seancën e pyetjeve të deputetëve sërish u ngrit çështja për qytetarët që kanë punuar si nënkontraktorë civilë...

Në seancën e pyetjeve të deputetëve sërish u ngrit çështja për qytetarët që kanë punuar si nënkontraktorë civilë në baza ushtarake ndërkombëtare në Irak dhe Afganistan, të cilët janë faturuar me vendime tatimore retroaktive, thotë Rina Ajdari nga BDI. Sipas saj, këto tatime po bëhen më prapavijë selektive etnike, ndërkaq shton se çështjen e tatimit, juridikisht e kanë pasur të rregulluar. 
 
“Ajo që e bën këtë çështje edhe më alarmante dhe shqetësuese është selektiviteti gjeografik dhe etnik i këtij aksioni të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, sepse mbi 90% të qytetarëve të cilëve sot u shkojnë këto faturime janë nga rajoni i Pollogut, Tetovë, Gostivar dhe rajoni i Kumanovës dhe Likovës, me fjalë të tjera janë qytetarë shqiptarë. Kjo formë e goditjes retroaktive financiare ngjallë dyshime të bazuara se institucionet shtetërore po përdorin mekanizma tatimorë në mënyrë selektive ndaj një komuniteti të caktuar etnik.”, - deklaroi Rina Ajdari nga BDI.
 
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska, mohon të dyja pretendimet, se ligji selekton dhe se tatimet kanë baza retroaktive.
 
“Tek ligjet, kur bëhet fjalë për tatime retrokative, ligji lejon të kthehesh pesë vite prapa dhe këtu nuk ka retroaktivitet, por pesë vite prapa kush nuk ka bërë pagesën e tatimit, ka për obligim ta paguajë. E dyta, nuk e di përse mundoheni në këtë temë të krijoni tensione etnike kur për shembull, qytetarët e parë ose obligues tatimorë që reaguan ishin qytetarët që kishin punuar në Afganistan nga Kumanova dhe ishin maqedonas.”, - theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska.
 
Sipas Dimitrieska Koçoskës, DAP-i ka informuar vazhdimisht për detyrimet e qytetarëve që fitojnë të ardhura nga jashtë vendit dhe është institucioni kompetent për zbatimin e procedurave ligjore. Angazhimi i DAP-it për vjeljen e këtij tatimi ngjalli reagimin e qytetarëve që kanë punuar jashtë vendit. Vlerësojnë se është e palogjikshme që tani të paguajnë tatim për paratë që i kanë fituar jashtë vendit pesë vite më parë dhe i kanë harxhuar moti.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU