Maqedoni

Problemet e studentëve në Shkup, Janevska: NQP të zgjidhë problemin me biletat

19.11.2026 13:59

Studentët në Shkup ankohen për mosfunksionimin e biletave digjitale në autobusët e transportit publik...

Studentët në Shkup ankohen për mosfunksionimin e biletave digjitale në autobusët e transportit publik, ndërkohë që Ndërmarrja e Transportit Publik ka hequr nga përdorimi biletat në letër. Kjo situatë ka krijuar vështirësi për studentët që shfrytëzojnë transportin publik për të ndjekur ligjëratat. E pyetur për këtë problem, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se nuk është e informuar për ankesat, por shprehu bindjen se drejtuesit e ndërmarrjes do të ndërhyjnë për zgjidhjen e tij.
 
“Nuk jam e informuar se ekziston një problem i tillë. Por, nëse ka problem, jam thellësisht e bindur se drejtuesit e Ndërmarrjes së Transportit Publik do ta zgjidhin urgjentisht këtë problem për studentët.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. 
 
Ndërkohë, probleme janë paraqitur edhe në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku disa fakultete dhe ndërtesa e Rektoratit kanë mbetur për disa orë pa energji elektrike për shkak të faturave të papaguara. Ministrja Janevska pranoi ekzistimin e borxheve, por siguroi se ato po shlyhen rregullisht.
 
“Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” ka energji elektrike. Është e vërtetë se ka borxhe për energjinë elektrike, megjithatë dje në Gazetën Zyrtare u publikua ribalanci i buxhetit. Ne i shlyejmë rregullisht këto borxhe dhe jam thellësisht e bindur se nuk do të kemi një problem të tillë.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. 
 
Ndërkohë, mbetet të shihet nëse detyrimet financiare të universitetit do të shlyhen brenda afatit të përcaktuar, për të shmangur ndërprerje të reja të energjisë elektrike dhe pengesa në zhvillimin e procesit mësimor.
 
BELINDA KOKA ADEMI