Përplasje për buxhetin, VMRO-DPMNE dhe LSDM me akuza dhe kundërakuza
19.11.2026 15:57
LSDM-ja dhe VMRO DPMNE-ja janë përplasur për gropat në buxhet....

LSDM-ja dhe VMRO DPMNE-ja janë përplasur për gropat në buxhet dhe politikat që kanë çuar në kolaps financiar. LSDM-ja opozitare akuzon pushtetin se nuk ka transferuar 51 milionë euro për shtyllën e dytë të pensionit, duke dëmtuar mbi 650 mijë përfitues. Pas hendekut prej 1 miliard eurove në Fondin Pensional, politikat e kësaj qeverie, sipas LSDM-së, po e kërcënojnë edhe shtyllën e dytë të pensionit.
“Ata e rritën hendekun në Fondin Pensional në një miliard euro. Tani kanë kërcënuar edhe shtyllën e dytë të pensioneve. Vodhën thesarin e shtetit për tenderë kriminalë, e kanë futur shtetin në borxh me miliarda euro borxhe të reja, tani po synojnë paratë personale të qytetarëve. Nuk ka para për punëtorët, nuk ka para për pensionistët, nuk ka shans për një pagë minimale më të lartë, nuk ka para për fermerët, nuk ka para për shujtë më të lartë për studentët.”, - deklaroi Jovana Trençevska nga LSDM.
Ndërsa VMRO-DPMNE-ja ka folur për kamatën e borxhit publik që ka trashëguar nga qeveritë e mëparshme. Sipas partisë maqedonase në Qeveri, interesi që po paguan Qeveria aktuale për shkak të borxheve të mëparshme është rritur për 32%.
“Shifrat thonë gjithçka! 2017–2023 (7 vjet LSDM - BDI): 1.03 miliardë euro interes - nga qeveritë e mëparshme. 2024-2027 (4 vjet VMRO-DPMNE): 1.36 miliardë euro interes, sipas planeve të zbatimit dhe buxhetit - nga qeveritë e mëparshme. Vetëm në 4 vjet, 32% më shumë interesa sesa në 7 vitet e mëparshme!”, - thanë nga VMRO-DPMNE.
Partitë politike po përplasen për politikat monetare, ndërsa buxheti për vitin e ardhshëm ka hyrë në procedurë parlamentare dhe aktualisht po diskutohet në komision parlamentar, përpara se t’i nënshtrohet debatit në seancë plenare.
BENJAMIN ARIFI
