Kuvend, vazhdon debati për projektbuxhetin 2027
Debati për propozim-buxhetin e vitit 2027...

Debati për propozim-buxhetin e vitit 2027 ka vazhduar në Komisionin për Financim dhe Buxhet, ku deputetët kanë paraqitur qëndrime të kundërta për projeksionet ekonomike të Qeverisë.
Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, për vitin 2027 parashikohet rritje ekonomike prej 3,8 për qind, ndërsa inflacioni pritet të jetë 3,2 për qind, në kushtet e stabilizimit gradual të çmimeve të produkteve primare.
“Numri kryesor prej ku nis një buxhet është pjesa e rritjes ekonomike, e cila tregon se ne sa po rritemi, sa jemi të varfër dhe se jemi të pasur. Kurse mesatarja e rritjes ekonomike, kur LSDM-ja ishte në Qeveri ishte 1,1 për qind, ndërsa sot e kemi 3,7 për qind, ndërsa në fund të këtij viti do të kemi 4,2%, e pyetja ime tani deri tek ju është se a thua vallë ne po rritemi apo nuk po rritemi.”, - deklaroi Lupço Prenxhov nga VMRO-DPMNE.
Këto projeksione janë kundërshtuar nga opozita duke i cilësuar ato si përllogaritje të gabuara të Qeverisë për buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Z. Prengjov, unë përmes replikës nuk mund t’i prek të gjitha çështjet me të cilat nuk pajtohem, dhe lëre që nuk pajtohem, por mendoj që e keni gabim. Një prej atyre që jam e sigurt që e keni gabim është çështja e papunësisë që e prekët. Ju lutem, mos gënjeni askënd, aq më pak veten tuaj se në Maqedoninë e Veriut ka ra shkalla e papunësisë. Pra, t’ju ndihmoj, në vitin 2015 në Maqedoninë e Veriut ka pasur fuqi të aftë për punë 1.678.812 persona, ndërsa sot kemi 1.515.306 persona, e kuptoni pra?! Për 163 mijë persona kemi më pak njerëz në numrin e përgjithshëm të aftë për punë.”, - u shpreh Ilire Dauti nga LSh.
“Do të ndalem vetëm në dy apo tre gjëra, thatë se parashihet rikonstruim dhe ndërtim i klinikave në Shtip, Kërçovë, Shkup, por a e dini ju se sa para janë parashikuar në buxhet për këtë, po ua them unë, vetëm 60 milionë denarë, apo 1 milion euro. Si do të rregullohen të gjitha këto klinika me 1 milion euro? Por, të vërtetën ju nuk kemi guxim ta thoni, sepse për këtë ka tanimë marrëveshje për një hua të huaj në vlerë prej 250 milionë euro me Bankën Qendrore Evropiane, e të cilën nuk e kemi në buxhet, e që borxhi në fund të vitit 2027 do të arrijë shifrat alarmante prej 12 miliardë euro.”, - theksoi Fatmir Bytyqi nga LSDM.
Sipas propozim-buxhetit për vitin 2027, numri i të punësuarve pritet të rritet për 1,2 për qind, ndërsa paga neto për 6,7 për qind. Të ardhurat buxhetore janë planifikuar në 395,4 miliardë denarë, shpenzimet në 440,4 miliardë, ndërsa deficiti në 45 miliardë denarë, ose 3,5 për qind të PBB-së. (Fitim Kryeziu, TVM2)
