Botë

Skandali i përgjimit të presidentëve, Hollande i telefonoi Obamës

25.06.2015 14:25

Presidenti francez, Francois Hollande, i telefonoi të mërkurën homologut amerikan, Barack Obamës, për të diskutuar mbi përgjimet e tre presidentëve francezë...

Obama i ka premtuar homologut të tij francez se taktikat e përgjimit do të ndalohen, duke i cilësuar ato si të papranueshme mes vendeve aleate.
 
Një premtim të ngjashëm Obama e bëri edhe pasi Edward Snowden zbuloi metodat e përgjimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare në vitin 2013. 
 
Biseda telefonike mes dy liderëve erdhi pasi WikiLeaks publikoi të martën dokumente, që tregonin se NSA kishte përgjuar nga viti 2006 deri në 2012-ën ish presidentët francezë, Zhak Shirak dhe Nikolas Sarkozy, si dhe vetë shefin aktual të pallatit Elize.  
 
NSA, as nuk i ka mohuar dhe as nuk i ka pohuar përgjimet e presidentëve francezë. Zëdhënësi i saj, Ned Price, tha se “nuk ka ndërmend të komentojë asnjë rast specifik përgjimi”.
 
“Në përgjithësi nuk ndërmarrim aktivitete përgjuese nëse nuk kanë për qëllim sigurinë kombëtare. Kjo vlen si për qytetarë të zakonshëm, ashtu edhe për udhëheqës botërorë. Presidenti Hollande nuk është në shënjestrën tonë. Ne punojmë ngushtë me Francën, si një partnere e padiskutueshme e jona”- tha Price.