Dita Botërore e Fëmijëve, përgjegjësi për të ardhme më të mirë për çdo fëmijë
20.11.2026 13:35
Sigurimi i një fillimi të mbarë, i arsimit cilësor dhe i një jete dinjitoze për çdo fëmijë është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve...

Sigurimi i një fillimi të mbarë, i arsimit cilësor dhe i një jete dinjitoze për çdo fëmijë është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, kompanive dhe gjithë shoqërisë, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve dhe fillimin e shënimit të 80-vjetorit të themelimit të UNICEF-it, në ngjarjen “I biem kambanës për fëmijët”, organizuar nga UNICEF-i dhe Bursa e Maqedonisë.
“Çdo fëmijë meriton mundësi për të zhvilluar potencialin e tij, të rritet me dashuri në vend të frikës, të mësojë në mjedis që e inkurajon, të pyesë, të hulumtojë dhe të besojë në aftësitë personale. Arsim të tillë po ndërtojmë. Në vazhdimësi po rrisim investimet në arsimin fillor, jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës, por edhe në krijimin e një përvoje më cilësore dhe më të begatë për çdo fëmijë.”, - deklaroi ministri i Arsimit, Vesna Janevska.
Ndërsa Lesli Miler nga UNICEF-i, theksoi se Institucionet kanë një peshë të madhe mbi supet e tyre, sepse ato marrin vendime për Botën e fëmijëve.
“Vendimet që i marrim sot paraqesin botën e fëmijëve të cilën do ta trashëgojnë nesër. Fëmijët ndoshta nuk rrinë në sallat e takimeve ku merren vendime afariste dhe të investimeve, por ajo që ndodh atje ua formëson jetën, vendet e punës së prindërve të tyre, prodhimet dhe shërbimet që shfrytëzojnë, shoqëritë ku rriten dhe mundësitë që u ofrohen. Kjo i bën palë të përfshira në çdo biznes, në ekonominë tonë, në të ardhmen tonë.”, - deklaroi përfaqësuesja e UNICEF-it, Lesli Miler.
Ndërsa ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, theksoi se investimi në fëmijërinë e hershme nuk është vetëm investim në individ, por edhe në zhvillimin e mbarë shoqërisë.
“Vitet e para të jetës janë themeli mbi të cilin ndërtohet personaliteti, aftësitë dhe besimi, si dhe e ardhmja e çdo fëmije. Investimi në fëmijërinë e hershme nuk është vetëm investim në individ, por edhe në zhvillimin e mbarë shoqërisë. Për Ministrinë e Sociales avancimi i kujdesit parashkollor paraqet një nga prioritetet tona më të rëndësishme.”, - theksoi ministri i MPSDR-së, Gjoko Vellkovski.
Dita Botërore e Fëmijëve dhe jubileu i UNICEF-it sivjet shënohen nën thirrjen globale “Të zgjedhim një të ardhme për fëmijët”, me theks të veçantë në investimin në vitet e para të jetës dhe zgjerimin e qasjes së barabartë në mësimnxënie të hershme, arsim dhe kujdes cilësor për çdo fëmijë.
FITIM KRYEZIU
