MPB: Prindër, bëni kujdes, fëmijët janë në shënjestër!

20.11.2026 15:12

MPB-ja paralajmëron prindërit të kenë kujdes se si e përdorin internetin fëmijët e tyre, pasi grupi i dhunshëm online “764” është aktiv edhe në Maqedoninë e Veriut....

MPB-ja paralajmëron prindërit të kenë kujdes se si e përdorin internetin fëmijët e tyre, pasi grupi i dhunshëm online “764” është aktiv edhe në Maqedoninë e Veriut. Nga MPB-ja sqarojnë se anëtarët e këtij grupi i kontaktojnë fëmijët, duke u prezantuar si bashkëmoshatarë të interesuar për vendosjen e kontakteve, ndërsa viktimat e mundshme i gjejnë nëpërmjet platformave dhe lojërave online më të përdorura, si Telegram, Roblox, Instagram, TikTok, Snapchat, Reddit, X, Minecraft dhe Fortnite.
 
“Pasi ta arrijnë besimin e tyre, fillojnë me manipulime, kanosje dhe shantazhe, me qëllim që t’i detyrojnë të ndajnë fotografi intime dhe video-xhirime, të vetëlëndohen, të kryejnë dhunë ndaj personave të tjerë apo kafshëve, si dhe të ndërmarrin veprime me pasoja të rrezikshme për jetën. Materialet më pas i shfrytëzojnë si mjet për frikësim të mëtejmë, shantazh dhe kontroll ndaj viktimave.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski. 
 
Nga MPB-ja theksojnë se ndër shenjat e para që duhet t’i alarmojnë prindërit janë ndryshimet e papritura në sjelljen e fëmijëve, si: izolimi, frika, ankthi ose nervozizmi, fshehtësia gjatë përdorimit të telefonit apo kompjuterit, komunikimi i shpeshtë me persona të panjohur në rrjetet sociale dhe lojërat online, si dhe marrja e mesazheve kërcënuese. Nga Ministria e Brendshme apelojnë te prindërit që të bisedojnë vazhdimisht me fëmijët e tyre për aktivitetet në internet, të interesohen se me kë komunikojnë dhe çfarë përmbajtjesh ndjekin, si dhe t’i edukojnë që të mos ndajnë të dhëna personale, fjalëkalime apo fotografi intime me persona të panjohur. Ndërsa, ata që kanë informacione apo dyshime për përfshirjen e fëmijëve të tyre në aktivitete që lidhen me grupin “764” ose grupe të tjera të ngjashme të dhunshme online, MPB-ja apelon që menjëherë ta njoftojnë policinë. 
 
FITORE NAGAVCI