Kuvend, shqyrtohen amendamentet për propozim-buxhetin 2027

20.11.2026 15:22

Komisioni për Financa dhe Buxhet hapi debatin për 400 amendamentet e dorëzuara nga opozita lidhur me propozim-buxhetin e vitit 2027...

Komisioni për Financa dhe Buxhet hapi debatin për 400 amendamentet e dorëzuara nga opozita lidhur me propozim-buxhetin e vitit 2027. Opozita shqiptare kërkoi më shumë  mjete për mbështetjen e organizatave joqeveritare dhe shoqatave të bashkësive etnike.
 
“Me këtë amendament propozohet të sigurohen mjete shtesë në shumë prej 22 milionë denarësh për mbështetjen e organizatave joqeveritare, ShKA-ve dhe shoqatave të bashkësive etnike. E gjithë mbështetja shtetërore për sektorin civil të të gjitha bashkësive arrin në 17 milionë denarë në vit. Nga këto mjete duhet të financohen të gjitha OJQ-të, ShKA-të dhe shoqatat e bashkësive shqiptare, turke, rome, serbe vllahe, boshnjake dhe të bashkësive të tjera.”, - deklaroi Rina Ajdari nga BDI.
 
Amendamenti u hodh poshtë  nga zëvendësministri i Financave me arsyetimin se mjetet për këtë qëllim janë të rritura dhe planifikimi parasheh 18,4 milionë denarë.
 
“Në kuadër të programit për promovimin e marrëdhënieve ndëretnike në Ministrinë për Marrëdhënie midis Bashkësive për Buxhetin e vitit 2027 janë planifikuar 18,4 milionë denarë, pra kemi rritje të shumës të parashikuar pikërisht për këtë qëllim, në raport me vitin 2026. Për këtë arsye, amendamenti nuk pranohet.”, - theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
 
Opozita me kërkesë edhe për rritjen e buxhetit për shënimin e festave kombëtare.
 
“Propozojmë të sigurohen mjete shtesë në shumë prej 3 milionë denarësh për shënimin e ditëve kombëtare të bashkësive. Dihet se ditët kombëtare janë simbol i dukshëm i barazisë mes bashkësive në shoqërinë tonë multientike dhe mundësi për afirmimin ndëretnik në kuadër të RMV-së.”, - u shpreh deputeti i ASh-së, Riad Shaqiri.
 
Zëvendësministri Jankullovski me përgjigje se për këto aktivitete janë paraparë 2,5 milionë denarë. Ndërkohë një grup deputetësh të LSDM-së kërkuan shtimin e financave për rritjen e pagave krahas rritjes së standardit dhe shpenzimeve. Zëvendësministri me arsyetim se mjetet për rritjen e pagave  planifikohen të rriten për 3,4 miliardë denarë.
 
“Propozojmë rritje adekuate të pagave dhe kontributeve në buxhetin për  vitin 2027, me qëllim që të sigurohen kushte financiare për rritjen e pagës minimale.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit për Financa dhe Buxhet, Sanja Llukarevska.
 
“Qeveria seriozisht është e përkushtuar në rritjen e pagave dhe këtë e punojmë në vazhdimësi. Pas ribalancit të dytë shuma totale për pagat ishte 53,8 miliardë denarë, ndërsa për vitin 2027 planifikojmë  57,3 miliardë denarë ose kemi rritje të planifikuar prej 3,4 miliardë denarë.”, - theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
 
Sipas propozim-buxhetit për vitin 2027, të ardhurat buxhetore janë planifikuar në 395,4 miliardë denarë, shpenzimet në 440,4 miliardë denarë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU