Botë
Pakistan, mbi 1000 të vdekur nga i nxehti
25.06.2015 15:04
Më shumë se 1000 persona kanë vdekur si pasojë e valës së nxehtë që ka goditur jugun e Pakistanit, njoftojnë zyrtarët, duke shtuar se mijëra persona të tjerë janë duke u trajtuar...
Karaçi, kryeqyteti i provincës Sind dhe disa distrikte të tjera, kanë qenë zonat më të goditura nga vapa e madhe e cila ka filluar që prej fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, më 19 qershor.
Një zyrtar shëndetësor ka thënë se më shumë se 950 njerëz kanë vdekur në Karaçi dhe mbi 50 të tjerë nga distrikte të tjera të provincës Sind.
Ky zyrtar, duke folur në kushte anonimiteti, ka thënë se mbi 40 mijë njerëz kanë vuajtur nga temperaturat e larta dhe mbi 8 mijë njerëzve u është dhënë ndihmë mjekësore.
Departamenti i Meteorologjisë në Pakistan ka thënë se temperaturat në Karaçi, të cilat gjatë fundjavës arritën deri në 45 gradë celsius, sot kanë rënë në 37 gradë.
