Shporta e konsumatorit është rritur në tetor, Durmishi: Gjoba deri në 200 mijë euro për tregtarët
20.11.2026 15:43
Shporta mesatare e konsumatorit në tetor arriti në 59.149 denarë, që është 942 denarë më shumë se në shtator, apo një rritje prej 1,6 për qind....

Shporta mesatare e konsumatorit në tetor arriti në 59.149 denarë, që është 942 denarë më shumë se në shtator, apo një rritje prej 1,6 për qind. Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, tha se rritja është vërejtur kryesisht tek ushqimet dhe pijet, veçanërisht tek pemët dhe perimet sezonale. Rritje më të vogla janë regjistruar edhe në kategoritë e banimit, veshmbathjes dhe këpucëve, rekreacionit dhe kulturës, si dhe tek energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse.
“Kemi një rritje prej 1.6% në krahasim të muajit shtator, ku shporta konsumatore për muajin tetor është 59.149 denarë dhe normalisht se qytetarët e ndjejnë dhe nuk mund të themi se nuk ka rritje të çmimeve, por ekzistojmë në një periudhë ku kemi një krizë globale, kemi dy vatra të luftërave dhe për momentin kemi inflacion më të ulët në rajon dhe me shtetet e BE-së.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Andaj, po punohet në mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve, duke monitoruar vazhdimisht çmimet e produkteve ushqimore. Sipas tij, lëvizjet e përditshme të çmimeve janë brenda një normaliteti relativ të tregut, ndërsa tregtarët, deri në këto momente, nuk i kanë rritur marzhat e fitimit. Durmishi tha se rritje të çmimeve ka, por jo të marzhës së fitimit mbi 15 për qind, duke paralajmëruar se në rast të një rritjeje të tillë, institucionet do të ndërhyjnë me masa administrative.
“Kemi rritje të çmimeve, por nuk kemi rritje të marzhës së fitimit mbi 15% dhe në qoftë se do të ketë një rritje të tillë normalisht se do të ndërhyjmë me masa administrative.”, - theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Pikërisht me ndryshimet në Ligjin për praktikat e padrejta tregtare, të cilat pritet të miratohen javën e ardhshme, parashikohen gjoba deri në dhjetëfish më të larta, në vlerë deri në 200.000 euro. Me ndryshimet ligjore, në kuadër të këtij ligji, do të përfshihen edhe marketet, përkatësisht zinxhirët tregtarë, si dhe shpërndarësit. Durmishi iu referua edhe inflacionit, i cili në tetor ishte 0,4% në nivel mujor dhe 3,3% në nivel vjetor. Sa i përket pagës minimale, ai pret që vitin e ardhshëm të ketë rritje prej 7 deri në 8 për qind, në përputhje me metodologjinë aktuale të përllogaritjes.
“Duke e marrë parasysh vitin që shkoi dhe këtë vit, paga minimale është rritur me 8,5% çdo vit, tani unë nuk do të jap numra, pasi ato mund të ndryshojnë, por përafërsisht 7 deri në 8% do të jetë rritja e pagës minimale edhe vitin e ardhshëm. Bashkë me kontributet, kjo mund të arrijë rreth 3.000 denarë.”, - u shpreh ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Durmishi tha se rritja përfundimtare e pagës minimale do të dihet dhe përcaktohet pas përfundimit të vitit kalendarik, kur do të llogaritet kostoja e jetesës dhe do të analizohet paga mesatare neto e paguar gjatë vitit paraprak, në mënyrë që të nxirret shuma e saktë e rritjes. Çdo rritje e sforcuar e pagës minimale mund të sjellë implikime ekonomike, tha ai. Njëherësh Durmishi paralajmëroi edhe miratimin e një ligji të ri për veprimtarinë gastronomike.
REXHEP QAMILI
