Protestë kundër femicidit, kërkojnë drejtësi për viktimat e dhunës
20.11.2026 16:25
Protestuesit kërkojnë drejtësi nga organet kompetente...

Stop për femicidin në vend, u protestua para Qeverisë së RMV-së. Protesta e radhës do të jetë të mërkurën e ardhshme, më 25 nëntor para Kuvendit.
Me thirrje "gra", "jetë", "liri", dhe një minutë heshtje për viktimat e femicidit, sot u protestua para Qeverisë me organizim nga Nisma, “Asnjë më shumë".
Protestuesit kërkojnë drejtësi nga organet kompetente dhe thonë se mjaft ishte me premtime.
Në protestë ishte gjithashtu Beti Angelovska nga Manastiri, nëna e vajzës 21-vjeçare e cila javën e kaluar raportoi në polici se ishte dhunuar barbarisht nga djali me të cilin ishte në një lidhje dhe kishte vuajtur rrahje, kërcënime për vrasje dhe abuzim psikologjik për një vit e gjysmë.
Abuzuesi iku nga policia përmes një dritareje dhe u kap disa ditë më vonë, por iu dha vetëm paraburgim tetë-ditor.
"Lufta kundër dhunës me bazë gjinore kërkon një reagim vendimtar dhe në kohë nga institucionet, me qëllim parandalimin e rasteve të reja të dhunës dhe vrasjeve të grave. Kërkojmë përgjegjësi më të madhe institucionale dhe masa specifike për të mbrojtur gratë nga dhuna, sepse veprimi në kohë mbi raportimet është thelbësor për parandalimin e tragjedive të reja.Unë si nënë ndjehem e dëshpëruar me Institucionet që dhunuesit nuk i mbajnë aty ku e kanë vendin por i lënë në liri.Nuk do të ndalem, do të vazhdoj të kërkoj drejtësi deri në fund" - tha Beti Angelovska, protestuese.
Sipas njoftimeve të Nismës, “Asnjë më shumë” këtë vit u vranë 7 gra, dhe raportimet e dhunës në familje janë rritur me 70%.(Vlora Latifi - Topojani, TVM2)
