Në prag të festës së Alfabetit shqip, do të mbahen aktivitete të ndryshme kulturore
20.11.2026 17:37
Me rastin e shënimit të festave të nëntorit...

Me rastin e shënimit të festave të nëntorit, Ministria për Marrëdhënie të Bashkësive në kuadër të Qeverisë së RMV-së, bashkë edhe me institucionet tjera, do të organizojnë aktivitete të ndryshme për nder të festës së alfabetit shqip.
Ministri Agon Ferati, me këtë rast theksoi se të shtunën do të ketë aktivitete të ndryshme në Shkup.
"Më 21 nëntor, e shtunë në qendrën informative kulturore organizojmë në nder të ditës së arsimit shqip, takim me veteranët e arsimit, ku do të ju ndahen disa mirënjohje për kontributin e tyre në arsimin shqip. Në mbrëmje duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Arteve Bashkëkohore do të kemi akademi solemne me rastin e 22 nentorit, festës së Alfabetit, që do të mbahen në Shkup. Ndërsa, sa i përket datës 22 nëntor, kemi paraparë një sërë aktivitetesh në qytetin e Manastirit, qyteti në të cilin u bë unifikimi i Alfabetit shqip, ku do të shfrytëzojmë këtë datë për të reflektuar dhe përkujtuar ngjarjet kulturore, ngjarjet në arsimin shqip nga e kaluara." - tha Ministri për Marrëdhënie të Bashkësive, Agon Ferati.
Më 22 nëntor në Manastir janë ftuar edhe delegacione nga Kosova dhe Shqipëria, ku prezentë do të jenë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)
