Tryezë shkencore në Manastir kushtuar Bedri Pejanit dhe Kongresit të Dytë
20.11.2026 18:12
Në Manastir në kuadër të manifestimit “Java e Shkronjave 2026”....

Në Manastir në kuadër të manifestimit “Java e Shkronjave 2026”, organizuar me rastin e 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit, u mbajt tryezë shkencore “Bedri Pejani dhe Kongresi i Dytë i Manastirit – një jetë në shërbim të çështjes kombëtare“.
Veprimtaria atdhetare e Bedri Pejanit dhe rëndësia historike e Kongresit të Dytë të Manastirit ishin në qendër të tryezës shkencore në ambientet e muzeut. Në tribunën shkencore, Nebi Dervishi, historiani Qerim Lita, Ardian Limani, Heral Saraçi e shumë të tjerë bënë skicim të kujtesës për Bedri Pejanin dhe rëndësinë historike të Kongresit të Dytë të Manastirit.
“Në këtë tribunë kushtuar një ndër figurave kryesore të Kongresit të Dytë të Manastirit, pra siç ishte Bedri Pejani, kryetari i kongresit. Unë kam përgatitur një kumtesë lidhur me historinë dhe rëndësinë e Kongresit të Dytë të Manastirit, që nuk ishte më pak me vlera se Kongresi i Parë. Kongresi i Dytë i Manastirit përbën një nga ngjarjet që na shtojnë krenarinë kombëtare, sepse edhe në këtë kuvend burrash pjesëmarrësit u përpoqën ta ngrenë në një shkallë më të lartë lëvizjen kombëtare, ku ndër të tjera u trasua rruga për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe u ngrit flamuri kombëtar më 28 nëntor 1912 në Vlorë.” - deklaroi Nebi Dervishi nga Universiteti i Tetovës
“Interes të veçantë paraqet raporti prej rreth 40–41 faqesh i Bedri Pejanit i dorëzuar në janar të vitit 1942 qeverisë së Mustafa Krujës, me titull "Parashtresë mbi gjendjen në Kosovë", pas udhëtimit të tij si i dërguar special i Drejtorisë së Përgjithshme të Shtypit nga 12 nëntori deri më 9 dhjetor 1941 në mbarë territorin e Kosovës (përfshirë Kuksit, Lumën, Tropojën, Hasin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Strugën etj.). Raporti, i ndarë në 26 kapituj dhe nënkapituj, trajtonte situatën politike, ekonomike, arsimore dhe luftimet në Mitrovicë (prill–nëntor 1941), si dhe kritikonte funksionimin e Komisariatit Civil për Kosovën (me seli në Prizren), duke përshëndetur formimin e qeverisë së Mustafa Krujës për katër arsye kryesore lidhur me çështjen kombëtare dhe mbrojtjen e shqiptarëve.” - u shpreh historiani, Qerim Lita.
Kjo tryezë shkencore në Manastir dëshmoi edhe një herë se Kongresi i Manastirit dhe personalitetet që kontribuuan në rrugëtimin e çështjes kombëtare shqiptare mbeten pjesë e rëndësishme e kujtesës sonë historike. Përmes kumtesave dhe trajtimit shkencor të figurës së Bedri Pejanit, u sollën në vëmendje momente, ngjarje dhe kontribute që meritojnë të ruhen, të studiohen dhe t’u përcillen brezave të rinj.
Njëherësh, kjo veprimtari riafirmoi rëndësinë e Manastirit si një nga qendrat më të rëndësishme të historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare. (Fitore Nagavci, TVM2)
