Maqedoni
OH “Hilal” ndan 6 tonelata me produkte ushqimore për skamnorët e Kërçovës
25.06.2015 15:23
OH “Hilal” në bashkëpunim me Myftinininë e Kërçovës, rreth 300 familjeve me status të rrezikuar social të Kërçovës u ndau paketa humanitare me produkte ushqimore dhe higjienike...

Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, OH “Hilal”, që vepron në kuadër të BFI-së, do të realizojë 25 aksione humanitare dhe përmes tyre do të shpërndajë ndihmat e siguruara nga Drejtoria e Vakëfit të Turqisë dhe kompanive vendore, të cilat do t’u shpërndahen 10 mijë familjeve të varfra në mbarë vendin.
Në kuadër të këtij aksioni, mbi 300 familjeve skamnore të Kërçovës iu ndanë 6 ton me produkte ushqimore dhe higjienike, tha kryetari i OH “Hilal”, Mustafa Dauti.
Këto ndihma janë të mirëseardhura për familjet e këtushme me status të rrezikuar social, nënvizoi myftiu i Kërçovës, Haxhi Murat ef. Huseini, i cili falënderoi kryetarin e BFI-së, Haxhi Sulejman ef. Rexhepin, për këtë aksion humanitar, në të cilin janë përfshirë edhe familjet e varfra kërçovare.
Ai bëri të ditur se deri në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit, Myftinia e Kërçovës do të realizojë edhe disa aktivitete të tjera humanitare, me të cilat do të ndihmohen familjet në nevojë të kësaj komune.
SHABAN DALIPI
