Trump: Putin shpreh gatishmëri për përfundimin e luftës, Moska kundërshton përfshirjen e Kallasit

21.11.2026 19:20

Presidenti rus, Vladimir Putin..

Presidenti rus, Vladimir Putin, është i gatshëm të presë në takim përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës në Moskë, për të biseduar rreth përfundimit të luftës në Ukrainë. Megjithatë, Moska ka përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes së shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, në negociata.

Nga Berlini kanë porositur se dialogu është i domosdoshëm, por bisedimet duhet të zhvillohen në territor neutral dhe me ndërprerjen e zjarrit si kusht paraprak.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, pas takimit me Putinin në Kinë, vlerësoi se ekziston një mundësi reale për arritjen e një marrëveshjeje.

“Putini e ka shprehur qartë dëshirën që lufta të përfundojë përmes diplomacisë. Mendoj se ekziston një mundësi realisht e mirë për arritjen e një marrëveshjeje”, tha Donald Trump, president i SHBA-së.

Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës vazhdojnë, ndërsa në skenë është edhe nisma evropiane. Brukseli po planifikon formimin e një ekipi të përbashkët negociator, por kjo nismë, me sa duket, nuk po pritet mirë nga Moska zyrtare. Rusia kundërshton pjesëmarrjen e shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, duke e akuzuar atë për qëndrim të hapur antirus.

“Kaja Kallas mban një qëndrim hapur antirus dhe i parashtron vendit tonë kërkesa jorealiste”, tha Maria Zaharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhdojnë, duke shkaktuar viktima dhe shkatërrime të reja. Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, deklaroi se Kievi nuk do të heqë dorë nga territoret e pushtuara dhe se do t'u përgjigjet sulmeve ruse përmes rrugëve diplomatike ose ushtarake.

Në anën tjetër, Polonia akuzoi Rusinë për provokim, pasi dy raketa ruse dhe një dron ranë në territorin e saj, në afërsi të një stërvitjeje të madhe ushtarake të aleatëve evropianë.

Përndryshe, të hënën në Bruksel, NATO-ja do të diskutojë incidentin në Poloni, në një kohë kur lufta dhe tensionet e sigurisë në rajon vazhdojnë të mbeten të larta.