Festivali “Moisiu”, diskutimet vazhdojnë edhe pas rënies së perdes
Në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu”...

Në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu”, diskutimet vazhdojnë edhe pas përfundimit të shfaqjeve. Krahas analizës së realizimeve artistike, pjesëmarrësit kanë trajtuar edhe çështje që prekin jetën kulturore shqiptare. Një prej shqetësimeve është vëmendja e pamjaftueshme që mediat i kushtojnë kulturës.
“Unë shpesh e kam theksuar në shkrimet e mia se është një nevojë vërtet e madhe që t'u jepet përkrahje më e madhe ngjarjeve kulturore, sepse nuk është vetëm politikë. Politika është triviale, shpesh banale dhe e përsëritshme, kurse ajo që ofrojnë krijuesit është e përjetshme. Kështu që duhet t'u kushtohet pak më tepër rëndësi këtyre ngjarjeve”, tha Daut Dauti, publicist.
Kritiku letrar dhe teatror Emin Azemi vlerëson se vitet e fundit publiku është rikthyer në teatër, veçanërisht në Teatrin Shqiptar të Shkupit, por thekson se kjo duhet të shoqërohet edhe me një strategji më të fuqishme mediatike.
“Teatri Shqiptar i Shkupit ka pasur një periudhë kur i ka munguar publiku. Tani, viteve të fundit, mund të them se, ndoshta edhe në dekadën e fundit, publiku është rikthyer në teatër dhe kjo është shumë mirë. Këta kanë përdorur strategji marketingu, lëvdata të PR-it shumë të suksesshme. Por duhet këtë strategji ta shndërrojnë edhe në strategji mediatike, që i mungon shumë hapësirës sonë kulturore”, tha Emin Azemi, kritik letrar dhe teatror.
Një tjetër çështje është nevoja që diskutimet mbi shfaqjet të mos mbeten vetëm pjesë e festivaleve, por të vazhdojnë edhe pas premierave, si një mundësi për komunikim mes krijuesve, kritikëve dhe publikut.
“Mendoj se keni të drejtë plotësisht që edhe pas çdo premiere ne të organizojmë këto debate, që të marrin pjesë më shumë njerëz, të cilët sigurisht se edukohen, i bëhen më të afërt teatrit. Teatri ka një gjuhë specifike me të cilën komunikon me spektatorin”, tha Agron Gërguri, regjisor.
Por, përtej analizës së shfaqjeve, lind edhe një pyetje: a po i mungon skenës shqiptare dramaturgjia origjinale? Dhe çfarë nevojitet për ta nxitur krijimtarinë e autorëve tanë?
Emin Azemi propozon që festivali të ndajë një çmim të veçantë, me vlerë monetare, për dramën origjinale shqiptare, me qëllim që të nxitet krijimtaria vendore.
“Unë në këtë rast mund ta jap edhe një ide, që ky festival të japë një çmim për dramën origjinale, një çmim me një kuptim më monetar dhe besoj që çdo vit pastaj ne do të kemi përtrirje të fondit të dramaturgjisë origjinale, jo si tani që dominon dramaturgjia e huaj, që është me vlerë, Beketi, Shekspiri e kështu me radhë, por ne duhet të punojmë që të kemi dramën tonë, dramaturgjinë tonë. Pse jo?”, tha Emin Azemi, kritik letrar dhe teatror.
Një këndvështrim tjetër sjell regjisori Qëndrim Rijani, i cili në festival u prezantua me shfaqjen “Duke pritur Godonë”. Ai e sheh zhvillimin e dramaturgjisë shqiptare të lidhur ngushtë me shkollimin dhe përgatitjen profesionale të autorëve.
“Pra, dramaturgjia shqiptare nuk mjafton vetëm të kërkohet edhe të thuhet që ne do t'i hapim hapësirë dramaturgjisë. Ashtu siç është dega e regjisë, e aktrimit dhe gjitha fushat tjera të artit, fusha ku mbarohet një fakultet, merret një diplomë, edhe dramaturgjia duhet të jetë fushë ose është fushë që nëpër botë mbarohet një fakultet, merret një diplomë dhe pastaj zhvillohet dramaturgjia”, tha Qëndrim Rijani, regjisor.
Festivali “Moisiu” përmbyllet të dielën, më 22 nëntor, me shfaqjen “Përtej hekurave” të Teatrit Shqiptar të Shkupit, me regji të Naser Shatrollit. Publiku ftohet ta ndjekë shfaqjen, ndërsa në mbrëmjen përmbyllëse do të ndahen edhe çmimet e festivalit. (Ardita Ramadani, TVM2)
