Ku ngec shteti në mbrojtjen e grave?Avokatët: Problem, faktori njerëzor, jo ai ligjor
21.11.2026 19:15
Gratë e denoncojnë dhunën...

Gratë e denoncojnë dhunën dhe, ndonëse ligjërisht janë të mbrojtura, mekanizmat institucionalë që duhet të garantojnë mbrojtjen e tyre ende nuk funksionojnë në mënyrë të mjaftueshme. Sipas avokatit Tome Ivçeski, problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e kuadrit të përshtatshëm ligjor, por te faktori njerëzor, përkatësisht te mënyra se si institucionet dhe personat përgjegjës i zbatojnë ligjet në praktikë.
Ai thekson se nevojitet reagim më i shpejtë dhe më efektiv nga institucionet, në mënyrë që proceset të përfundojnë pa vonesa dhe grave t'u sigurohet mbrojtja e nevojshme në kohë.
“Kështu që është e nevojshme që shërbimet sociale, policia, prokuroria dhe gjykata shumë më shpejtë të reagojnë dhe në atë drejtim më shpejtë të sanksionojnë, sepse ky problem nuk është momental. Sidomos në rastet e fundit shohim se kryerësit janë relativisht persona të rinj, të cilët jane edhe viktima edhe kryerës të dhunës në familje do të thotë se problemi është diku tek jeta e tyre paraprakisht”. - shprehet avokati Tome Ivçeski.
Problemi është shumë i thellë dhe kërkon rishikim sistematik thotë avokati Ivçeski, ndërsa mangësitë që përmend ai janë evidentuar edhe në raportin e këtij viti të Komisionit Evropian i cili konstaton se femicidi dhe përhapja e lartë e dhunës ndaj grave vazhdojnë të jenë shqetësim serioz në Maqedoninë e Veriut.
"Disponueshmëria dhe cilësia e shërbimeve të specializuara për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme. Disa nga shërbimet ekzistuese nuk janë funksionale ose nuk i përmbushin standardet e kërkuara, ndërsa mungesa e personelit, financimi i pamjaftueshëm dhe çështjet e pazgjidhura lidhur me licencimin e ofruesve të shërbimeve nga shoqëria civile vazhdojnë të pengojnë ofrimin efektiv dhe të qëndrueshëm të këtyre shërbimeve. Gjithashtu, mbështetja për riintegrimin e viktimave mbetet e pamjaftueshme." - thuhet në raportin e Komisionit Evroppian.
Ndryshe, Enti Shtetëror i Revizionit në raportin e vitit 2025 konstatoi mangësi serioze në sistemin për mbrojtjen e grave viktima të dhunës. Nga 52 aktivitete të paraprara në Planin e Veprimit për periudhën 2018-2023, vetëm 22 janë realizuar plotësisht, 10 pjesërisht ndërsa 20 nuk janë realizuar fare.
Revizorët evidentuan gjithashtu mungesë të strehimoreve dhe shërbimeve të specializuara, mungesë të kuadrit profesional në qendrat për punë sociale dhe koordinim të dobët mes institucioneve.
Në këtë drejtim kërkuan qëndrim nga Enti Shtetëror i Revizionit nëse kanë realizuar kontroll pasues për të verifikuar nësë institucionet përgjegjëse i kanë zbatuar rekomandimet e raportit, cilat mangësi janë eliminuar e cilat vazhdojnë të mbesin por deri në përgatitjen e këtij materiali nuk morëm përgjigje nga atje.(Sara Kajolli, TVM2)
