Çarshia e vjetër e Shkupit, Esnafët kërkojnë më shumë investime

22.11.2026 17:59

Çarshia e Vjetër e Shkupit nuk është vetëm një destinacion turistik...

Çarshia e Vjetër e Shkupit nuk është vetëm një destinacion turistik apo hapësirë tregtare. Ajo është një nga pjesët më të vjetra të qytetit, ku zanatet tradicionale, dyqanet dhe jeta e përditshme vazhdojne ti japin jete dhe te ruajne karakterin e saj historik.

Megjithatë, mungesa e parkingjeve, hyrjet e ngulfatura, kalldrëmet e dëmtuara dhe mungesa e tualeteve publike janë disa nga shqetësimet që vështirësojnë vizitën në këtë zonë.

Esnafët kërkojnë më shumë investime dhe kushte më të mira për qytetarët dhe turistët që çdo ditë vizitojnë këtë pjesë historike.

“Qasja në Çarshinë  Vjetër ësht shumë e ndërlikuar. Në ditët e sotme mungojnë mundësitë moderne për një qasje më të mirë në çarshi. Duhet të ketë një hapësirë, siç themi, një parking për veturat, në mënyrë që një familje apo një konsumator që dëshiron ta vizitojë çarshinë të ketë qasje më të mirë. Kemi mungesë të parkingjeve të mjaftueshme.  Nuk është se nuk ka fare parkingje, por rritja e numrit të madh të veturave dhe nevoja për parking nuk mund të përballohen me kapacitetet ekzistuese.” – tha Kryetari i Esnafit të Çarshisë, Bujar Dullovi.

Çarshia e vjetër e Shkupit, Murtezi: Punimet për parkingjet nëntokësore nisin në vitin 2027

Si zgjidhje për problemin e mungesës së parkingjeve në Çarshinë e Vjetër shihet ndërtimi i garazheve nëntokësore në sheshin Skënderbeu, me kapacitet prej rreth 400 vendparkimesh.

Sipas Muhamet Murtezit nga Komuna e Çairit, projekti aktualisht ndodhet në procedurë për marrjen e lejes së ndërtimit, ndërsa fillimi i punimeve parashihet gjatë vitit 2027.

“Më duhet të theksoj se jemi në fazat përfundimtare të rregullimit të dokumentacionit teknik dhe administrativ, pastaj të sigurimit të lejes për ndërtim dhe fillimit të procedurës së tenderimit. Sinqerisht, në bazë të konsultave që kam pasur me sektorët përgjegjës brenda komunës, bisedat janë se jemi shumë afër përfundimit. Pritet që gjithçka të përfundojë deri në fund të vitit, ndërsa ndërtimi i parkingjeve nëntokësore të fillojë në muajt e parë të vitit 2027.” – deklaroi Kryetari i Kwshillit tw Komunws sw Çairit, Muhamet Murtezi.

Çarshia e vjetër e Shkupit, Jashari: Çarshia duhet të funksionojë sipas ligjit

Gjendja e Çarshisë së Vjetër të Shkupit mbetet larg asaj që duhet të jetë, thotë Afet Jashari, këshilltar shtetëror në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.

Sipas tij, një nga arsyet kryesore është zvarritja shumëvjeçare e ndryshimeve ligjore, të cilat kanë mbetur pa u realizuar në institucionet përkatëse.

“Është e vërtetë se ka kërkesa të shumta dhe të gjithanshme, por unë do të sugjeroja që të gjithë esnafët që kanë dyqane dhe punojnë këtu, të drejtohen tek institucionet relevante. Këtu bëhet fjalë për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, sektorin për trashëgimi kulturore dhe Drejtorinë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Në kuadër të këtyre institucioneve përkatëse është edhe ligji,  për Çarshinë e Vjetër të Shkupit, i cili përmban nene të posaçme që janë votuar në Qeveri dhe në Kuvend.” – u shpreh Afet Jashari, këshilltar shtetëror në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.

E ardhmja e Çarshisë së Vjetër nuk varet vetëm nga projektet dhe investimet, por edhe nga vullneti për të ruajtur atë që e bën të veçantë. Sepse një çarshi pa zanate, pa esnaf dhe pa jetë do të mbetet vetëm një kujtim i asaj që ishte dikur. (Gazmend Kurtishi, TVM2)