NPK “Sharri”, rrjeti i ujësjellësit të Tetovës i vjetëruar
Rrjeti i ujësjellësit në qytetin e Tetovës...

Rrjeti i ujësjellësit në qytetin e Tetovës është i vjetëruar, ndërsa vetëm gjatë tre muajve të fundit janë evidentuar mbi 200 defekte, apo tre deri në katër defekte në ditë. Kështu bëjnë të ditur nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri”.
Sipas drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, Valon Zeqiri, periudha e vjeshtës dhe ndryshimet e presionit të ujit ndikojnë në shtimin e defekteve në rrjet, i cili për shkak të amortizimit kërkon ndërhyrje të vazhdueshme.
“Sigurisht që kemi një rrjet të vjetëruar në qytet. Defekte kemi, sidomos në këtë sezon të vjeshtës, kur kemi më shumë defekte, pasi ulet edhe presioni i ujit. Me ndryshimin e presionit paraqiten më shumë defekte në rrjet, për shkak të vjetërsisë së tij. Megjithatë, ne jemi duke bërë të pamundurën që t’i sanojmë defektet në kohën më të shkurtër të mundshme. Vetëm gjatë tremujorit të fundit kemi evidentuar rreth 200 defekte, që i bie mesatarisht tre deri në katër defekte në ditë, të cilat i kemi sanuar.” – tha Drejtori i NPK-së “Sharri”, Valon Zeqiri.
Në Tetovë shtrihen rreth 85 kilometra rrjet i ujësjellësit. Ndonëse një pjesë e konsiderueshme e infrastrukturës është e amortizuar, sipas drejtuesve të ndërmarrjes, gjatë dy viteve të fundit janë realizuar punime për rikonstruksionin dhe zgjerimin e rreth 20 për qind të rrjetit.
Investimet, sipas drejtorit Zeqiri, kapin vlerën e pesë milionë eurove.
“Paralelisht me sanimin e defekteve, kemi bërë edhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit, të kanalizimit fekal dhe atmosferik. Këto investime kanë ndihmuar shumë, sidomos në periudhat me reshje të shumta të shiut dhe në periudhat kur kemi pasur mungesë të ujit. Dy milionë euro janë investuar në vitin e parë kur kam ardhur në detyrë si drejtor, ndërsa vetëm gjatë këtij viti, pra në vitin e dytë, kemi investuar edhe tre milionë euro. Gjithsej pesë milionë euro janë investuar brenda dy viteve në zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit, instalimin e ujëmatësve, realizimin e kyçjeve të reja, si dhe në ndërtimin e rrjetit të kanalizimit fekal dhe atmosferik.” – u shpreh Drejtori i NPK-së “Sharri”, Valon Zeqiri.
Ndërkohë, përderisa ndërmarrja përballet me sfidat e infrastrukturës së vjetëruar dhe defektet e shpeshta, qytetarët e Tetovës do të përballen edhe me fatura më të larta të ujit.
Këshilli i Komunës së Tetovës ka miratuar tarifat e reja për shërbimet e ujësjellësit për periudhën 2027–2029, me ç’rast çmimi për metër kub ujë parashihet të rritet gradualisht, duke arritur një rritje prej rreth 14 për qind deri në vitin 2029. (Visar Sadiku, TVM2)
