Kumanovë-Likovë: Shënohet Dita e Alfabetit shqip

22.11.2026 18:50

Në shenjë respekti dhe mirënjohje për historinë e arsimit shqip...

Në shenjë respekti dhe mirënjohje për historinë e arsimit shqip, në fshatin malor Orkoc të komunës së Likovës, më 22 Nëntor, Ditën e Alfabetit Shqip, u përurua pllaka përkujtimore kushtuar shkollës së parë shqipe në këtë komunë.

Pllaka mban emrin e Shkollës Fillore „Malësia”, e themeluar në vitin 1946, ndërsa në të janë përjetësuar edhe emrat e pishtarëve të arsimit, të cilët me përkushtim kontribuuan në zhvillimin e procesit edukativo-arsimor në këtë institucion.

"Sot jemi këtu sëbashku për ta festuar ditën e Alfabetit shqip dhe jo rastësisht jemi në këtë vend pran kësaj shkolle, shkollë që para 80 viteve filloi misionin e vet në arsim. Pas një periudhe të errët që kaluan shqiptarët në këtë vend edhe pse i vogël e në malësi u ndez një shkëndijë e që më vonë ndriçoi gjithëandej", theksoi mes tjerash, Nuredin Ismaili nga Këshilli organizativ.

“Kjo është një dëshmi që tregon se e ruajmë trashigiminë tonë kulturore e ruajmë historinë tonë dhe do të vazhdojmë cdo herë të kontribuojmë dhe të vlerësojmë të gjithë ata të cilët kanë bërë cmo që kombi ynë, populli ynë ti gëzon të drejtat që sot i posedojmë", - u shpreh Erkan Arifi, Kryetar i Komunës së Likovës.

Ndërkohë, aktivitetet për shënimin e Ditës së Alfabetit Shqip në rajonin e Kumanovës nisën që të premten, në shkollat fillore dhe të mesme, ku u organizuan aktivitete të ndryshme kulturore dhe edukative.

Manifestimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, me një ekspozitë të artistëve të artit figurativ nga Maqedonia e Veriut, e cila do të hapet në Galerinë e Arteve në Kumanovë.

Përmes këtyre aktiviteteve, 22 Nëntori shënohet jo vetëm si një datë historike, por edhe si një ditë reflektimi mbi rëndësinë e gjuhës, arsimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. (Fatlum Aqifi, TVM2)