Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë, goditen objektet energjetike
Sulmet ruse ndaj Ukrainës dhe kundërpërgjigjja ukrainase...

Sulmet ruse ndaj Ukrainës dhe kundërpërgjigjja ukrainase kanë vazhduar. Rusia goditi objekte energjetike dhe të banimit në Ukrainë, ndërsa Kievi ndërmori sulme ndaj një objekti të Gardës Kombëtare Ruse në Krasnodar.
Në rajonin e Kievit, ekipet e shpëtimit po kërkojnë persona të mbetur nën rrënoja, ndërsa raportohet se dhjetëra persona mund të jenë të bllokuar nën to.
“Po punohet për pastrimin e rrënojave. Janë angazhuar makineri të rënda inxhinierike, ndërsa ekipet e shpëtimit, të ndihmuara nga qentë, po kërkojnë persona të mbetur nën rrënoja.” – tha Viktoria Ruban, zëdhënëse e shërbimit ukrainas për situata emergjente.
Shpërthime u raportuan edhe pranë bazës së flotës ruse të Detit Baltik, në rajonin e Kaliningradit. Ndërkohë Finlanda konfirmoi se Ukraina kishte përdorur dronë për të sulmuar një anije mallrash ruse në ujërat ndërkombëtare të Gjirit të Finlandës. Autoritetet finlandeze raportojne për dyshime serioze për shkelje të hapësirës së tyre ajrore.
“Dyshojmë se një helikopter ushtarak ka shkelur hapësirën ajrore finlandeze për rreth pesë minuta.” – u shpreh Aki Mauri Hutinen, nga forcat e armatosura të Finlandës.
Ndërkohë Volodymyr Zelensky akuzoi Putinin se gjatë samitit në Shenzhen është përpjekur të negociojë një ndarje të re të botës dhe ndryshim të kufijve, sipas modelit të Jaltës, por se Kina nuk ka lejuar të përfshihet në një marrëveshje të tillë.
Presidenti ukrainas paralajmëroi se në negociatat e ardhshme për paqe, Evropa do të përfaqësohet nga pesë shtete dhe jo vetëm nga treshja evropiane që kishte propozuar Moska.
Anëtarësimin në NATO e cilësoi si garancinë më të sigurt të sigurisë për Ukrainën, duke shtuar se edhe SHBA-ja po e hap këtë çështje.
“Nuk mund të ketë negociata pa Poloninë, ashtu siç nuk mund të ketë negociata pa vendet e tjera evropiane. Evropa do të përfaqësohet nga pesë shtete Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe Polonia, së bashku me përfaqësues të Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe NATO-s. Garancia më e sigurt për sigurinë e Ukrainës është anëtarësimi në NATO. Kjo do ta forconte edhe Aleancën. Është mirë që edhe amerikanët po e hapin këtë çështje, por vendimi përfundimtar do të varet nga koha dhe mënyra se si do të përfundojë lufta.” – deklaroi Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Çdo marrëveshje paqeje duhet të jetë e pranueshme për Ukrainën. Nuk mund të merren vendime për Evropën pa vetë evropianët.” – theksoi Ministri britanik i Mbrojtjes, Ëes Streeting.
Shqetësim për zhvillimet në rajon ka shprehur edhe Estonia, e cila ka dërguar një anije ushtarake për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar ndotjen e mundshme. Marina estoneze paralajmëron se si anijet ruse, ashtu edhe ato ukrainase, konsiderohen objektiva legjitime ushtarake në ujërat ndërkombëtare.
Mediet ruse raportojnë se një avion amerikan zbulues po patrullon në afërsi të Kaliningradit, në një periudhë të shtimit të aktiviteteve të NATO-s përgjatë kufijve perëndimorë të Rusisë.
Ndërkohë, në plan të parë po rikthehet edhe çështja e negociatave për paqe. (Rexhep Qamili, TVM2)
