Nga Qafë Thana në Manastir – TVM2 me mbulim gjithëpërfshirës të Ditës së Alfabetit
TVM2, përmes edicioneve informative, lajmeve, paraqitjeve të drejtpërdrejta dhe përmbajtjeve për rrjetet sociale, gjatë gjithë ditës përcolli në mënyrë profesionale aktivitetet dhe ngjarjet që shënuan 22 Nëntorin.

22 Nëntori këtë vit u karakterizua nga një ditë dinamike, me aktivitete të shumta në Manastir dhe në shënim të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Dita nisi me hapjen e pikës së përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në Qafë Thanë, ku morën pjesë kryeministrat Hristijan Mickoski dhe ai i Shqipërisë Edi Rama. Pas këtij aktiviteti, vëmendja u zhvendos në Manastir, në qytetin ku historia e alfabetit shqip mori një nga kthesat më të rëndësishme.
TVM2, përmes edicioneve informative, lajmeve, paraqitjeve të drejtpërdrejta dhe përmbajtjeve për rrjetet sociale, gjatë gjithë ditës përcolli në mënyrë profesionale aktivitetet dhe ngjarjet që shënuan 22 Nëntorin.
Angazhimi i ekipit redaksional, gazetarëve, kameramanëve, montazhierëve, teknikëve dhe gjithë stafit në prapavijë bëri të mundur përcjelljen e atmosferës, aktiviteteve dhe momenteve të rëndësishme të kësaj dite, duke kapur çdo zhvillim dhe çdo çast me rëndësi.
“Maratonë paraqitjesh të drejtpërdrejta, ndjekje e çdo ngjarjeje dhe kapje e çdo momenti të rëndësishëm në ditën e sotme. Të gjithë ata që ishin në prapavijë për realizimin e çdo përmbajtjeje dhe çasti të rëndësishëm”, shkroi kryeredaktorja e TVM2, Leunora Kaliqi.
Mbulimi i kësaj dite u përmbyll me manifestimin qendror në nder të Ditës së Alfabetit, përmes transmetimit të drejtpërdrejtë po nga TVM2 nga Manastiri.
