Maqedoni

Raporti i Mekanizmit Parandalues Nacional: Gjendje alarmante në vendet e privimit nga liria

25.06.2015 16:15

Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar torturë dhe trajtime jonjerëzore në vendet e privimit nga liria...

Është shqetësues fakti që personat e torturuar frikohen të paraqesin rastin shkaku i sjelljes së mëtejmë nga personat zyrtarë.
 
Kjo dukuri, sipas avokatit të popullit, Ixhet Mememeti, është në dëm të parandalimit të torturës dhe ndëshkimit të atyre që ushtrojnë atë. Sipas Raportit të Mekanizmit Parandalues Nacional për vitin 2014, kushte të përkeqësuara dhe shqetësuese janë konstatuar edhe në burgun e Idrizovës, në Entin Edukues Korrektues në Tetovë, i cili përkohësisht është i vendosur në Veles.
 
“Dua të ju informoj se edhe më tej, se tek personat e privuar nga liria, ekziston frika për denoncimin e torturës dhe trajtimin jonjerëzor. Edhe në këtë vit patëm raste kur personat i ndryshonin deklaratat e dhëna fillestare, ku avokati i popullit konstatoi lëndime vizuele dhe deklarata e tij ishte se ato lëndime i ka shkaktuar personi zyrtar, më vonë personi u tërhoq nga kjo deklaratë nga frika e sjelljes së mëtejmë të personelit zyrtar. Dua të ju informoj se gjatë vizitës në burgun e Kumanovës, i cili është i ri, konstatuam se nuk janë kushtet për risocializim, e që është qëllim i vuajtjes së dënimit”- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
 
Sipas Raportit të Mekanizmit Parandalues Nacional për vitin 2014, nga vizitat në 38 stacionet policore në vend është konstatuar se vetëm 10 prej tyre i plotësojnë kushtet minimale në vendet e ndalimit, ndërsa 28 stacioneve të tjera u rekomandon të mbyllen apo të përdoren vetëm për qëndrim të shkurtër.
 
Si dukuri alarmante avokati i popullit theksoi arrestimin e fëmijëve, si dhe rrahjen e një fëmije nga ana e pjesëtarit të policisë në objektin e shkollës.
 
“Vizitat tona në stacionet policore zbuluan dukuri që na shqetësuan, përkatësisht arrestimin e fëmijëve nën moshën 14 vjeçare edhe atë prej moshës 10 deri më 11 vjeçare, e që është në kundërshtim me Ligjin për drejtësi të fëmijëve. Arrestohen fëmijë në rrugë dhe fëmijë që konsiderohen të zhdukur, ata fëmijë janë të ikur nga qendrat për ruajtën e tyre, arrestohen nga Njësia Special ‘Allfa’”- tha avokati i popullit, Ixhet Memeti.
 
Nga vizita në spitalet psikiatrike është konstatuar se një pjesë e reparteve janë nën standardet e parapara, ku paraqitet dhe mungesë e kapacitetit, megjithatë nga Ministria e Shëndetësisë asnjëherë nuk u janë përgjigjur raporteve të Avokatit të Popullit.
 
FLORIJE KAMBERI