BDI: Nga 817 bursa të ndara, vetëm 80 nxënës shqiptarë
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj rezultateve të konkursit për ndarjen e bursave për nxënës për vitin shkollor 2026/2027, duke pretenduar se nxënësit shqiptarë janë tejet të nënpërfaqësuar në numrin e bursave të ndara.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj rezultateve të konkursit për ndarjen e bursave për nxënës për vitin shkollor 2026/2027, duke pretenduar se nxënësit shqiptarë janë tejet të nënpërfaqësuar në numrin e bursave të ndara.
Sipas BDI-së, nga gjithsej 817 bursa të ndara, vetëm 80 u janë akorduar nxënësve shqiptarë, që përbën më pak se 10 për qind të numrit të përgjithshëm të përfituesve.
BDI vlerëson se shqetësues është edhe përfaqësimi në kategori të veçanta, duke theksuar se në kategorinë e nxënësve të talentuar, nga 50 bursa të ndara, asnjë nxënës shqiptar nuk ka përfituar bursë, ndërsa në kategorinë e artistëve të talentuar, nga 150 bursa, vetëm katër janë ndarë për nxënës shqiptarë.
Kërkojnë sqarim publik nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe zëvendësministri Driton Sulejmani lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së bursistëve, kriteret, procedurat dhe garantimin e trajtimit të barabartë të nxënësve.
“VLEN nuk mund të mjaftohet me pozitat qeveritare dhe deklaratat për përfaqësim, ndërkohë që rezultatet konkrete në një fushë kaq të rëndësishme si arsimi kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI thekson se bursat nuk janë privilegj, por mundësi që duhet të ndahen mbi kritere të drejta dhe të barabarta, duke kërkuar publikimin e të dhënave të plota për aplikimet, pikët e fituara dhe përfituesit sipas kategorive.
Sipas BDI-së, përgjegjësia për transparencën dhe mundësitë e barabarta është institucionale dhe nuk mund të shmanget me heshtje.
