“Drejtësi në Nuremberg” fitoi çmimin kryesor në festivalin “Moisiu”
Me shfaqjen “Përtej hekurave” të Teatrit Shqiptar të Shkupit...

Me shfaqjen “Përtej hekurave” të Teatrit Shqiptar të Shkupit, nën regjinë e Naser Shatrollit, mbrëmë u përmbyll edicioni i katërt i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu”.
Pas shtatë ditësh me shfaqje dhe diskutime artistike, festivali përfundoi me ndarjen e çmimeve për arritjet më të mira të këtij edicioni.
Shfaqja që e hapi festivalin, “Drejtësi në Nuremberg” e Teatrit Kombëtar të Tiranës, ishte edhe më e vlerësuara në përfundim të tij, duke fituar tri çmime.
Juria e shpalli shfaqjen më të mirë të festivalit, ndërsa nga po e njëjta shfaqje, Lulzim Zeqja u zgjodh aktori më i mirë. Çmimi për skenografinë më të mirë iu nda Genc Shkodranit.
Dy çmime mori edhe shfaqja “Romeo dhe Zhulieta” e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ilir Bokshi u vlerësua për regjinë më të mirë, ndërsa Qëndresa Jashari u shpall aktorja më e mirë e festivalit.
Çmimi për kostumografinë më të mirë iu nda Emira Ymerit, për shfaqjen “Magjistari i Ozit” të Teatrit të Tetovës. Ndërkaq, me Çmimin e Karrierës u nderua Vebi Qerimi, për kontributin e tij në artin teatror.
Përgjatë një jave, festivali “Moisiu” mblodhi në Shkup trupa teatrore nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Në program u prezantuan dhjetë shfaqje, ndërsa krahas tyre u zhvilluan edhe tryeza diskutimi mbi krijimtarinë dhe sfidat e teatrit shqiptar. (Ardita Ramadani, TVM2)
