Ligje evropiane për emigrantët, kushte të mjerueshme
Maqedonia ka kornizë ligjore solide për trajtimin e emigrantëve me standarde evropiane, por zbatimi i ligjit në praktikë has në vështirësi reale, pasi vendi nuk ka as kapacitete minimale për vendosjen dhe trajtimin e emigrantëve...

Kriza me emigrantët, azili dhe e drejta evropiane u diskutuan në Komisionin për Çështje Evropiane, në Parlament. Avokati i Popullit konstatoi kushtet substandarde në të cilat mbahen emigrantët.
“Nga puna e Avokatit të Popullit, sa i përket punës me lëndë ose perceptimit të përgjithshëm për këtë gjendje, si në aspektin e strukturës organizative të sistemit juridik në RM, krijimit të kushteve reale për zbatimin e ligjit, me çka nënkuptojmë së pari kapacitetet e vendosjes me përmbushjen e standardeve minimale dhe të kuadrit profesional për zbatimin e ligjit, jo vetëm të këtij edhe të tjerëve, dhe procedurave tregon se RM vite me radhë ballafaqohet me këtë problem”- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Mehmeti.
Mirëpo, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, thotë se vendi po ndan vlera evropiane sa i përket çështjes së emigrantëve, siç është solidariteti dhe përgjegjësia.
“Maqedonia ndoshta nuk ka asnjë pikë ndikimi në atë që po ndodh në Lindjen e Mesme apo në vende të tjera të botës, në këto konflikte, por ka përgjegjësi si vend anëtar i OKB-së, si vend nënshkrues i të gjitha konventave ndërkombëtare për të ruajtur dhe shprehur solidaritetin human”- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.
Për zhvillimet në shoqëri mbajnë përgjegjësi vetë deputetët. Autokritike ishte Ermira Mehmeti.
“Ne si deputetë besoj se jemi shumë të thirrur dhe mbajmë përgjegjësi për zhvillimet dhe fenomenet, qofshin ato të mira apo të dhimbshme në shoqëri, dhe besoj se edhe ky takim i sotëm është në kuadër të këtij përkushtimit tonë për të krijuar një shoqëri më të mirë dhe në instancë të fundit për të evropianizuar shoqërinë tonë”- u shpreh deputetja, Ermira Mehmeti.
Fluksi i emigrantëve nga vendet e krizës është trefishuar në Maqedoni. Situata imponoi ndryshimin e ligjit, me të cilin, para së gjithash, pretendohet të rritet siguria e emigrantëve në qarkullim, të cilët kryesisht transitojnë nëpër Maqedoni në rrugën drejt vendeve të BE-së. Gjatë këtij viti, dhjetëra emigrantë nga Siria dhe Afganistani e humbën jetën në aksidente trafiku, nëpër hekurudhat e Maqedonisë.
Ndërkaq, emigrantët që janë pranuar në Qendrën për të Huaj në Gazi Babë, ankohen nga mbipopullimi i objektit dhe kushtet substandarde. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
