Maqedoni
Raporti i KE-së për RMV-në, përparim në reforma, por pa hapje të negociatave
23.11.2026 14:44
Vendi ynë gjatë 12 muajve të fundit ka shënuar përparim të dukshëm, duke u renditur ndër vendet me nivelin më të lartë të përgatitjes në rajon...

Vendi ynë gjatë 12 muajve të fundit ka shënuar përparim të dukshëm, duke u renditur ndër vendet me nivelin më të lartë të përgatitjes në rajon. Kështu vlerësoi ambasadori i BE-së në Shkup, Mihail Rokas, në seancën e përbashkët të Komisionit për Çështje Evropiane dhe Këshillit Nacional për Eurointegrime, ku u shqyrtua Raporti i KE-së për vendin. Rokas veçoi se përparimi më i madh është në fushën e digjitalizimit, arsimit dhe harmonizimit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Megjithatë, progresi i arritur ende nuk mjafton për kalimin në fazën tjetër të procesit eurointegrues. Për fillimin e negociatave me BE-në janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese dhe përmbushja e hapave të tjerë të dakorduar, porositi Rokas.
“Megjithatë, siç e dini, faza e ardhshme e negociatave të anëtarësimit varet nga hapat për të cilët jemi dakorduar bashkërisht në të kaluarën. Fillimisht, ndryshimet kushtetuese, më pas marrëveshja për administratën publike dhe reforma në gjyqësor, si dhe udhërrëfyesit përkatës që shoqërojnë këto procese. Të gjitha këto së bashku do të mundësojnë hapjen e Kapitullit të parë. Dhe, sapo negociatat të hapen plotësisht, Maqedonia e Veriut do të mund të vazhdojë punën që po e bën edhe aktualisht.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup, Mihail Rokas.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u bëri thirrje fqinjëve dhe partnerëve evropianë që ta ndihmojnë vendin të tejkalojë bllokadën në rrugën drejt BE-së. Ajo vlerësoi se raporti evidenton përparim në disa sektorë dhe nuk konstaton regres, por theksoi se shqetësimet e vendit shkojnë përtej çështjes së ndryshimeve kushtetuese.
“Çdokush që pretendon se bëhet fjalë vetëm për ndryshimet kushtetuese, mendoj se nuk është i sinqertë, ose ka qëllim apo mungesë vullneti për ta kuptuar sfondin e shqetësimit tonë. Në këtë drejtim, dua të theksoj se mesazhi im për të gjithë fqinjët tanë është se marrëdhëniet e mira fqinjësore duhet të jenë urë drejt Bashkimit Evropian, e jo instrument për shtyrjen e pacaktuar të perspektivës evropiane të fqinjit.”, - theksoi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Përfaqësuesit politikë në vend me qëndrime të kundërta sa i përket së ardhmes evropiane të vendit.
“Do ta pranojmë përparimin, pa e ekzagjeruar, do t’i pranojmë mangësitë dhe, pa iu shmangur përgjegjësisë, rekomandimet do t’i shndërrojmë në përgjegjësi konkrete, afate dhe rezultate. Këtë ua kemi borxh Kuvendit, partnerëve evropianë dhe mbi të gjitha, qytetarëve.”, - u shpreh ministri për Çështjeve Evropiane, Bekim Sali.
“Pyetja për të cilën Evropa duhet të na ndihmojë të marrim përgjigje është nëse ndryshimet kushtetuese përbëjnë tradhti kombëtare, apo nëse bëhet fjalë vetëm për një fushatë të fuqishme të rreme, me qëllim që vendi të mbahet në izolim, ndërkohë që i gjithë rajoni po ecën përpara, ndërsa ne po shohim se si po e humbim ndoshta edhe trenin e fundit.”, - deklaroi kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Venko Filipçe.
“Fakti që Maqedonia është 100 për qind e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së është dëshmia më e madhe se ku është e përcaktuar shteti dhe kah e sheh të ardhmen e tij.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Miloshovski.
“Përderisa përfaqësuesit e Qeverisë flasin me fjalë të mëdha për çështjet evropiane, veprimet e tyre dëshmojnë qasje represive dhe autoritare. Vlerat evropiane nuk dëshmohen vetëm përmes deklaratave politike, por edhe përmes respektimit të ligjeve dhe të drejtave të garantuara.”, - u shpreh deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.
Përndryshe në raportin më të ri të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026, të publikuar më 4 nëntor, i njëzeti që nga marrja e statusit të vendit kandidat, konstatohet përparim në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes, harmonizim 100 për qind me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dhe përparim në transformimin digjital dhe në fushën e shkencës.
REXHEP QAMILI
