Mickoski: Model i ri për shujtën studentore, subvencionimi përmes aplikacionit “M-Uslugi” (“M-Shërbime”)

23.11.2026 15:26

Shujta studentore pritet të marrë një formë...

Shujta studentore pritet të marrë një formë të re përmes një zgjidhjeje digjitale, e cila, përveç rritjes së shumës së subvencionit, do t'u mundësojë studentëve edhe privilegje dhe përfitime të tjera.

Kështu deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke bërë të ditur se institucionet janë duke punuar në zhvillimin e aplikacionit “M-Uslugi” (“M-Shërbime”). Çështja e shujtës studentore ditëve të fundit është rikthyer në fokusin e debatit publik, veçanërisht për shkak të kërkesave të studentëve për rritjen e mbështetjes financiare dhe përmirësimin e kushteve të shfrytëzimit të saj.

“Arritëm te shujta studentore, të cilën duam ta zgjidhim në një mënyrë tjetër, inovative, përmes aplikacionit “M-Uslugi” , gjegjësisht studentët jo vetëm që do të marrin rritje të shumës të cilën do ta përdorin për ta siguruar shujtën studentore, por njëkohësisht përmes aplikacionit “M-Uslugi” do të marrin edhe privilegje të tjera të cilat në këtë moment nuk i marrin. Ne vlerësojmë se në këtë mënyrë do ta lehtësojmë ndjeshëm studimin dhe do ta përmirësojmë standardin studentor. Po punojmë në aplikacion, po punojmë me kolegët nga Sekretariati i Përgjithshëm, nga Ministria për Transformim Digjital, Arsim dhe Shkencë dhe Financa dhe pres që shumë shpejt të dalim me këtë zgjidhje inovative digjitale, e cila nuk ekziston në Evropë. Asnjë shtet në Evropë nuk ka një lloj të tillë zgjidhjeje që do ta kenë studentët e Maqedonisë.”, - deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Mickoski nuk bëri të ditur një datë konkrete se kur aplikacioni do të jetë funksional dhe kur studentët do të mund ta shfrytëzojnë modelin e ri.

Propozimi për modelin e ri vjen pas diskutimeve të zhvilluara gjatë javëve të fundit për rritjen e subvencionit nga 3.500 në 4.500 denarë në muaj dhe ndryshimin e mënyrës së shfrytëzimit të mjeteve përmes një sistemi digjital.

Ndërkohë, përfaqësuesit studentorë kanë kërkuar që ndryshimet të garantohen me ligj dhe të publikohet lista e operatorëve ku do të mund të përdoret subvencioni. Studentët kanë kërkuar gjithashtu rritjen e shumës ditore nga 140 në 200 denarë. Aktualisht, shujta studentore vazhdon të funksionojë sipas modelit ekzistues, ndërsa paralajmërimi i fundit i kryeministrit hap rrugën për një sistem të ri, i cili synon të përfshijë edhe përfitime të tjera për studentët. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)