Maqedoni
BDI ngre dyshime për ndarjen e bursave, Sulejmani: Do të ndahen në dy kategori të tjera
23.11.2026 15:34
BDI-ja opozitare ka reaguar lidhur me bursat për nxënës për vitin shkollor 2026-2027...

BDI-ja opozitare ka reaguar lidhur me bursat për nxënës për vitin shkollor 2026-2027, duke pretenduar se Ministria e Arsimit ka diskriminuar nxënësit shqiptarë. Sipas BDI-së, nga gjithsej 817 bursa të ndara, kanë përfituar vetëm 80 nxënës shqiptarë, që përbën më pak se 10 për qind të numrit të përgjithshëm të përfituesve.
“Këto rezultate kërkojnë sqarim publik nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga zëvendësministri Driton Sulejmani, i cili duhet të shpjegojë se si është siguruar trajtimi i barabartë i nxënësve dhe nëse janë analizuar kriteret, procedurat dhe rezultatet sipas përkatësisë etnike.”, - thanë nga BDI.
Por, zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, sqaroi se lista e publikuar nuk është përfundimtare dhe se për disa ditë do të publikohen përfituesit e bursave në dy kategori tjera, ku interesi i nxënësve shqiptarë ka qenë shumë më i madh. Në këto dy kategori do të ndahen gjithsej 2.470 bursa.
“Pikërisht në këto dy kategori, interesimi i nxënësve shqiptarë ka qenë dukshëm më i madh. Prandaj, çdo analizë për përfaqësimin e nxënësve shqiptarë duhet të marrë parasysh numrin e aplikimeve, plotësimin e kritereve dhe rezultatet në të gjitha kategoritë, e jo vetëm një pjesë të tyre.”, - theksoi zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani.
Sipas Sulejmanit, katër kategoritë e bursave për të cilat ka reaguar BDI-ja kanë qenë kategori me kushte shumë specifike. Aty bëjnë pjesë bursat për fëmijët pa prindër, bursat për nxënësit që kanë fituar çmime, si dhe artistë dhe sportistë të talentuar.
BENJAMIN ARIFI
