Maqedoni
Reformë në administratën shtetërore, projektligj për riorganizim institucional
23.11.2026 15:49
Sipas ministrit Minçev, qëllimi përfundimtar është që reformat të shndërrohen në përfitime të dukshme për qytetarët dhe përshpejtimin e rrugës evropiane të shtetit...

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, ka prezantuar propozim-ligjin e ri, ku u zhvillua një debat publik mbi versionin e punës të Projektligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore. Sipas ministrit Minçev, qëllimi përfundimtar është që reformat të shndërrohen në përfitime të dukshme për qytetarët dhe përshpejtimin e rrugës evropiane të shtetit.
“Qëllimi i tij kryesor nuk është të vendosë një konfigurim të ri administrativ për nevojat e një momenti të caktuar politik, por të avancojë dhe të forcojë rregullat sistemore sipas të cilave organizohet dhe funksionon administrata shtetërore. Analizat e strukturës institucionale kanë treguar nevojën për një harmonizim më të madh sistemor, ndarje më të qartë të kompetencave dhe përcaktim më të saktë të përgjegjësive në kuadër të administratës shtetërore.”, - deklaroi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
Me ligj të ri dhe kritere më të rrepta funksionale synohet të rregullohet themelimi dhe organizimi i organeve në kuadër të ministrive, drejtorive, byrove dhe inspektorateve. Ekspertët vlerësojnë se kompetencat e institucioneve duhet të përcaktohen qartë me ligj dhe se aktet nënligjore nuk mund të shërbejnë si bazë për marrjen e autorizimeve që ligji nuk i parasheh.
“Aktet nënligjore nuk duhet të japin autorizime të pavarura dhe jashtë kornizës ligjore, ose ta tejkalojnë, ose ndryshojnë juridiksionin e themeluar ligjërisht.”, - theksoi profesoresha universitare, Tanja Karakamisheva.
“Financimi i brendshëm financiar dhe revizioni i brendshëm nuk mund të realizohen nga përdoruesi kryesor i buxhetit, dhe këto duhet të merren në konsideratë.”, - u shpreh Iskra Belçeva Ristovska nga Qendra për Menaxhim me Ndryshimet.
Projektligji mbështetet në katër shtylla, organizimin funksional të administratës, stabilitetin institucional përmes vlerësimeve pesëvjeçare, ndarjen e përgjegjësive politike dhe profesionale, si dhe forcimin e sigurisë juridike. Ai është në përputhje me agjendën e reformave dhe i përshtatur me kushtet vendore. Ministri Minçev tha se ministria mbetet e hapur për propozime, ndërsa projektligji ende nuk ka hyrë në procedurë parlamentare dhe për miratimin e tij kërkohet shumicë prej dy të tretash.
FITIM KRYEZIU
