Maqedoni
Mucunski në Athinë: Greqia vlerëson përparimin e RMV-së
23.11.2026 16:10
Mucunski po merr pjesë në Athinë në takimin ministror të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor"..

Kryediplomati Timço Mucunski po qëndron në Athinë, ku merr pjesë në takimin ministror të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”. Mucunski zhvillon takime bilaterale në margjinat e takimit. Shefi i diplomacisë greke, Jorgos Gerapetritis, i cili e organizon takimin, vlerësoi përparimin e Maqedonisë së Veriut në transformimin digjital, harmonizimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe reformën e administratës publike. Pjesëmarrësit thanë se momentumi evropian i Ballkanit Perëndimor duhet të ruhet dhe të forcohet, me qëllim integrimin e plotë në të ardhmen e afërt.
“Në dy panele të ndryshme diskutuam më gjerësisht për sfidat e rajonit, por edhe për mënyrën se si do ta përcaktojmë së bashku politikën e zgjerimit, si vendet që janë brenda Bashkimit Evropian, ashtu edhe ne që jemi jashtë tij. Prandaj, konsideroj se është veçanërisht e rëndësishme që pikërisht Greqia ishte nikoqire e këtij takimi. Gjithashtu, pata mundësinë të zhvilloj një takim bilateral me kolegun tim, Gerapetritis, ku diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe dhe projektet me interes të përbashkët. Më vjen mirë që ministri Gerapetritis e tha publikisht atë që edhe ne si Qeveri e theksojmë vazhdimisht: se kemi shënuar përparim serioz drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
