Botë

Sulm kibernetik ndaj Komisionit Evropian, rrjedhin të dhëna personale, dyshime për hakerë të lidhur me Kinën

23.11.2026 17:07

Komisioni Evropian po përballet me një sulm kibernetik që ka zgjatur rreth një muaj...

Komisioni Evropian po përballet me një sulm kibernetik që ka zgjatur rreth një muaj, ndërsa dyshimet për autorët bien mbi një grup hakerësh të lidhur me Kinën. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të sigurisë, sulmi ende nuk është neutralizuar plotësisht.
 
Shkelja e sigurisë u zbulua më 22 tetor, kur specialistët e teknologjisë së informacionit konstatuan praninë e një aktori keqdashës në rrjetet e brendshme të institucionit.
 
Komisioni ka konfirmuar rrjedhjen e emrave dhe adresave të email-it të përdoruesve, duke paralajmëruar për rrezikun e sulmeve të mundshme të mashtrimit elektronik, të njohura si phishing. Si masë parandaluese, është pezulluar përkohësisht qasja publike në platformën e Akademisë së BE-së, ndërsa disa aplikacione të brendshme mbeten të padisponueshme.
 
Sipas vlerësimeve paraprake të ekspertëve, pas sulmit dyshohet se qëndron një grup hakerësh i identifikuar me emrin e koduar “Panda”. Dyshimet për lidhje me Kinën bazohen në metodat e përdorura dhe në një mjet të quajtur ARTEX, i cili shfrytëzon inteligjencën artificiale për identifikimin e dobësive në sistemet kompjuterike.
 
Kompanitë e sigurisë kibernetike Microsoft dhe CrowdStrike kanë lidhur sulme të ngjashme me grupe që dyshohet se kanë lidhje me Kinën. Megjithatë, autorësia e këtij incidenti nuk është konfirmuar zyrtarisht.
 
Ekspertët e sigurisë së BE-së nuk kanë konfirmuar vjedhjen e të dhënave të stafit nga sistemet e tjera të Komisionit. Ndërkohë, sindikata e punonjësve ka kritikuar mënyrën e komunikimit të incidentit, pasi nëpunësit janë informuar për sulmin përmes mediave.
 
Autoritetet kineze kanë mohuar vazhdimisht akuzat për mbështetjen e grupeve të hakerëve, ndërsa ekipet evropiane të sigurisë vijojnë punën për kufizimin e pasojave dhe rikthimin e funksionimit normal të sistemeve.