Maqedoni
QSHP publikon rezultatet e testimit ekstern, kryesojnë shkollat maqedonase
25.06.2015 16:49
Asnjë shkollë me mësim në gjuhën shqipe nuk është radhitur në dhjetëshen e shkollave që kanë treguar rezultate më të dalluara në testin ekstern...

Këtë e dëshmojnë rezultatet e publikuara sot në shkollat fillore dhe të mesme. Këtë listë e kryesojnë shkollat maqedonase në komunat Qendër, Vevçan, Aerodrom, Karposh dhe Kisella Vodë.
Se cilat janë rrethanat që kanë ndikuar që shkollat me mësim në gjuhën shqipe të tregojnë rezultate të dobëta në krahasim me shkollat maqedonase, ne konsultuam profesorë universitarë.
Sipas tyre, motivimi i dobët i nxënësve, mospërkushtimi i profesorëve dhe shumë faktorë të tjerë po ndikojnë në rënien e cilësisë së arsimit.
“Në familjet maqedonase, me aq sa i njoh unë bisedohet shumë më tepër për shkollën, për mësimin, nëse ata për këto tema bisedojnë 80%, në familjet tona as 20% prej prindërve nuk e ndajnë shqetësimin me fëmijët e tyre për të biseduar për shkollimin, mësimin, diturinë”- deklaroi profesori universitar, Agim Leka.
Problem shtesë është fakti se edhe gjatë punësimit të profesorëve nuk merren parasysh meritat akademike dhe punësohen studentë të dobët.
“Unë punoj tre dekada këtu, asnjëherë nuk jam pyetur, nuk jam konsultuar as unë dhe kolegët e mi se cili nga kandidatët potencial është më meritori, sepse ne kemi edhe studentë të fortë, mirëpo rrinë pa punë dhe punësohen më të dobëtit, dhe ai sigurisht do prodhojë antivlera"- tha profesori universitar, Agim Leka.
Edhe nota mesatare e testimit eksterne ka shënuar rënie nga 3.60 vitin e kaluar, në 3.26.
Sipas profesorit, Bashkim Selmani, shkollat shqipe kanë infrastrukturë më të dobët në krahasim ma ato maqedonase, por edhe humbja e vullnetit për të mësuar është edhe rezultat i mungesës së garave.
“Te shqiptarët ka një element të uljes së interesit, humbje e vullnetit, një element i cili është në kontinuitet për garën arsimore, sepse ka pak stimulime, aktivitete shkollore, riorganizime, gara dhe ndikon edhe kjo në humbjen e sensit, në kuptimin e funksionimit të arsimit, nëse nuk ka aktivitete për të nxitur dhe stimuluar për perspektivë më të mirë, është edhe kjo një pasojë”- u shpreh profesori universitar, Bashkim Selmani.
Ndërkohë, nga Qendra Shtetërore e Provimeve bëjnë të ditur se nxënësit, duke filluar më 26 qershor e deri më 30 qershor, do të mund të parashtrojnë ankesa pranë Komisionit Shkollor.
Gjatë parashtrimit të ankesës nxënësi ka të drejtë për të rishikuar testin.
FLUTURA LATIFI
