Maqedoni
Analistët: Gruevski po tenton t’i afrohet Brukselit
25.06.2015 17:07
Deklaratat të cilat i dëgjojmë nga kryeministri, Nikolla Gruevski, nga fillimi i krizës politike janë vetëm fjalë me të cilat tentohet të manipulohet masa e gjerë...

Deklaratat të cilat i dëgjojmë nga kryeministri, Nikolla Gruevski, nga fillimi i krizës politike janë vetëm fjalë me të cilat tentohet të manipulohet masa e gjerë, si dhe tentim që të mbajë homogjenitetin e partisë për të mos i dalë gjërat nga kontrolli.
Kështu vlerëson analisti politik, Albert Musliu, sipas të cilit, bëhet fjalë për deklaratat dhe shpjegimet e kryeministrit Gruevski se rekomandimet e Raportit të Pribesë janë shqyrtuar në seancën e djeshme qeveritare dhe se qeveria ka miratuar një plan për reforma të reja në sferën e integrimeve evropiane.
“Nëse i krahasoni fjalët me veprat, ju do të shihni se veç ka pranim të atij absurditeti i cili ne na ndodhë. Pranohet se gjërat nuk janë në rregull, kemi nënshkrim të marrëveshjes politike, vetë fakti që është nënshkruar me caktimin e zgjedhjeve të parakohshme të cilat para kësaj prej kryeministrit kontestoheshin në mënyrë të prerë, na flet se ato gjëra të cilat ne i dëgjojmë në një farë forme janë pranuar dhe besoj se kryeministri tenton që ta zvogëlojë efektin e dëmit”- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
Ka shanse që e gjithë kjo të jetë një tentativë e kryeministrit Gruevski për t’iu afruar Brukselit, thotë Musliu, por, sipas tij, është evidente që ai manipulon me planin për integrime evropiane dhe ndërkombëtarët janë të vetëdijshëm për këtë.
“Ka shans që ai të tentojë t’i afrohet Brukselit, por është tjetër çështje se sa do të ketë kredibilitet ose të drejtë morale që në Bruksel disa sende të cilat ne i kemi dëgjuar dhe i kemi lidhur me disa realitete të jetës së përditshme të periudhës së kaluar, sa do të mund Brukseli para nesh si qytetarë të justifikohet ose të bëhet se gjoja s’ka ndodhur asgjë”- tha analisti politik, Albert Musliu.
Musliu është i mendimit se pas Raportit të Pribesë dhe konkluzave të KE-së, nga Gruevski do të presim qëndrime edhe më të buta, përmes të cilave ai tenton të mbajë nën kontroll situatën në Maqedoni.
SANIJE KASAMI
