Kulturë
Komuna e Çairit me manifestim tradicional, “Çairi feston Nëntorin - 20 vjet krenari”
24.11.2026 13:13
Komuna e Çairit, nga 23 deri më 28 nëntor të këtij viti, organizon manifestimin tradicional “Çairi feston Nëntorin - 20 vjet krenari”...

Me program gjashtëditor, që përfshin aktivitete arsimore, kulturore dhe artistike, Komuna e Çairit, nga 23 deri më 28 nëntor të këtij viti, organizon manifestimin tradicional “Çairi feston Nëntorin - 20 vjet krenari”, Festimet e këtij viti i kushtohen Ditës së Alfabetit, Ditës së Flamurit dhe 20-vjetorit të vendosjes së bustit të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut në sheshin që mban emrin e tij në Shkup.
“Muaji nëntor është më shumë se një muaj i kalendarit, është muaji i kujtesës tonë historike dhe këto ngjarje që po shënojmë këto ditë, Ditën e Alfabetit dhe Ditën e Flamurit janë padyshim një simbolikë e madhe e jona si popull, si komb, si shoqëri. Dje e shënuam Ditën e Alfabetit, i përkujtuam 50 delegatët e trevave dhe viseve të ndryshme shqiptare që ia mësyn Manastirit prej 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908. Përkujtuam sakrificën, përkushtimin dhe punën e tyre dhe përkujtuam edhe njësimin e alfabetit tonë me të cilin ne sot shkruajmë dhe mësojmë.”, - deklaroi Muhamet Murtezi nga Komuna e Çairit.
“Jemi në muajin e festave më kryesore të kombit tonë, të 22 Nëntorit - Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 28 Nëntorit - ditës së Flamurit. Sot nëpërmjet pikave të zgjedhura nga nxënësit e shkollave tona dëshmojmë edhe njëherë që tradita, vlerat kulturore dhe historike po vazhdojnë brez pas brezi, gjë që na gëzon.”, - theksoi Mjellma Gashi nga Komuna e Çairit.
Në mbrëmjen e 23 nëntorit, Komuna e Çairit u ndau mirënjohje mësimdhënësve për kontributin e tyre. Përmes këtij programi, Komuna e Çairit synon të shënojë datat e rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, duke përfshirë institucionet arsimore, artistët dhe qytetarët në një kalendar të përbashkët aktivitetesh.
VLORA LATIFI TOPOJANI
