Zyrtarizimi i Gjuhës Shqipe, Kasami: Zyrtarizimi bëhet me Kushtetutë
Ligji për përdorimin e gjuhëve ka avancuar përdorimin e shqipes...

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka avancuar përdorimin e shqipes në fusha të caktuara, por nuk e ka zyrtarizuar atë, vlerësoi bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami. Në emisionin “Verdict” në TVM2, ai tha se zyrtarizimi kërkon rregullim kushtetues.
“Gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Pra, kemi një ligj për përdorimin e gjuhëve, në të cilin në fusha të caktuara është i avancuar përdorimi i gjuhës shqipe.”, - deklaroi bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.
- Në Kuvend flitet shqip, në Qeveri flitet shqip edhe në Komunën e Tetovës besoj flitet shqip!?
“Patjetër, prandaj edhe ne i kemi 11 provime të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Nëse flasim se çfarë është bërë, po e pranojmë. Prandaj, e kemi përkrahur këtë ligj me deputetët tanë. Nuk themi se nuk ka avancim të përdorimit të gjuhës shqipe. Por, nuk është zyrtarizim, sepse zyrtarizimi bëhet me Kushtetutë.”, - theksoi bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.
Provimi i jurisprudencës, Kasami: Praktika në gjuhën shqipe, e pamundur
Duke folur për provimin e jurisprudencës, Kasami tha se mbajtja e dy provimeve praktike në shqip është e pamundur, derisa gjuha shqipe nuk zbatohet në gjykata dhe prokurori.
“Pjesa praktike, derisa nuk implementohet Ligji për gjuhët në sistemin e drejtësisë, në gjykata dhe prokurori, derisa nuk kemi lënë të gatshme të përkthyera edhe në gjuhën shqipe, është praktikisht e pamundur këto dy provime të jenë në gjuhën shqipe.”, - u shpreh bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.
Ministria e Drejtësisë tashmë ka gjetur zgjidhje që pjesa teorike e provimit të jurisprudencës të mund të jepet edhe në shqip, ndërsa dy provimet praktike të mbeten në maqedonisht. Opozita e kundërshton këtë ndarje dhe kërkon që të gjitha provimet të mund të jepen në shqip.
Ndryshe në Ligjin për përdorimin e gjuhëve në nenin 1 paragrafi 2 theksohet se pas maqedonishtes, “gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj”. (Artan Nuhiu, TVM2)
