Arsim, Janevska: Shujta duhet të jetë 156 denarë

24.11.2026 14:30

Sa duhet të jetë vlera e shujtës studentore...

Sa duhet të jetë vlera e shujtës studentore dhe sa subvencion duhet të marrin studentët? Kjo çështje ende mbetet e hapur për shkak të paqartësive në interpretimin e Ligjit.

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, thа se sipas llogaritjeve të saja të bazuara në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, shujta duhet të jetë 156 denarë. Për këtë çështje tashmë janë ngritur tri padi në Gjykatën Administrative, vendimin e së cilës MASh-i do ta respektojë.

Ndërkohë, është formuar grup punues për modelin e ri të shujtës studentore, ndërsa përmes një aplikacioni të ri mobil, studentët do të përfitojnë edhe 20 për qind zbritje për ushqimin dhe 20 për qind për blerjet e tjera në dyqane, furra buke e restorante.

“Llogaritjet që kemi bërë, bazuar në normat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, janë saktësisht 156 denarë. Këtë e verifikova pikërisht dje. Por, Ligji nuk është mjaftueshëm i qartë. Edhe juristët pohojnë se është kështu dhe pikërisht këtu qëndron mospërputhja dhe interpretimi i dyfishtë i ligjit. MASh-it tashmë i kanë arritur tri padi nga Gjykata Administrative. Procedura është në vijim. Ne do të veprojmë ashtu siç do të vendosë Gjykata.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Janevska: Bursat i ndajmë sipas kritereve

Ndërkohë, Janevska hedh poshtë pretendimet e opozitës shqiptare se gjatë ndarjes së bursave për vitin shkollor 2026/2027, MASh-i ka diskriminuar dukshëm nxënësit shqiptarë, duke u ndarë vetëm 80 bursa nga gjithsej 817, apo rreth 10 për qind. Ajo paralajmëron revizion të procesit.

“Nxënësit aplikojnë në Ministri me kode, ndërsa ne bursat i ndajmë sipas kritereve. Që një nxënës të përfitojë bursë, duhet t'i plotësojë disa kritere të përcaktuara. Pra, ne nuk ndajmë bursa sipas përkatësisë etnike, por ato u ndahen nxënësve që i plotësojnë kushtet në fjalë. Megjithatë, për shkak të ankesave, do të bëjmë edhe njëherë një revizion. Ashtu siç kamerat e sistemit “Qyteti i Sigurt” nuk mund ta identifikojnë përkatësinë etnike të një personi gjatë njohjes së fytyrës, as ne nuk mund ta dallojmë përkatësinë etnike të nxënësve përmes kodeve. Por, edhe nëse do ta dinim përkatësinë etnike, ekzistojnë kritere të përcaktuara nga shteti, të cilat nxënësit duhet t'i plotësojnë.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Edhe më shqetësues, sipas BDI-së, është fakti se në kategorinë e nxënësve të talentuar, nga gjithsej 50 bursa të ndara, asnjë nxënës shqiptar nuk ka përfituar bursë. Ndërkohë në kategorinë e artistëve të talentuar, vetëm 4 nxënës shqiptarë kanë përfituar bursë, nga gjithsej 150 bursa të ndara. (Rexhep Qamili, TVM2)