Maqedoni

Gjykimi për tragjedinë në Koçan, dëshmitarja rrëfen tmerrin në diskotekë

24.11.2026 14:46

Vatra e zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan ishte në pjesën e pasme të objektit, ndërsa aparatet për fikjen e zjarrit ishin vërejtur vetëm në hapësirën ku shiteshin biletat....

Vatra e zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan ishte në pjesën e pasme të objektit, ndërsa aparatet për fikjen e zjarrit ishin vërejtur vetëm në hapësirën ku shiteshin biletat. Kështu dëshmoi në seancën e sotme gjyqësore Anastasija Sokolova, e cila natën tragjike të 16 marsit kishte punuar në banakun e diskotekës. E propozuar si dëshmitare nga mbrojtja e të akuzuarit të parë, Dejan Jovanov – Deko, Sokolova deklaroi se ishte pikërisht Jovanovi ai që u ndante detyrat punonjësve. Ajo tha se edhe më herët në diskotekë ishte përdorur piroteknikë, por asnjëherë me intensitetin e natës tragjike.
 
“Nuk e pashë kush dhe si e vendosi piroteknikën. Unë nuk e di as si duket. Është e saktë se edhe paraprakisht në diskotekë shfrytëzohej piroteknika, por asnjëherë me fuqi siç ishte atë natë. Vëreja një shkëndijë të fortë, asnjëherë nuk kam parë diçka të tillë.”, - deklaroi dëshmitarja, Anastasija Sokolova.
 
Sokolova rrëfeu edhe për panikun që kishte kapluar të pranishmit pas shpërthimit të zjarrit. Ajo tha se gjatë përpjekjeve për të dalë nga diskoteka kishte humbur vetëdijen. Pasi kishte arritur të dilte nga objekti, kishte kontaktuar me babanë e saj, ndërkohë që brenda ende kishte njerëz të bllokuar.
 
Prindërit kërkojnë drejtësi pa zvarritje
 
Ndërkohë, familjarët e viktimave kanë reaguar ndaj ecurisë së procesit gjyqësor. Ata theksojnë se nga shtatë dëshmitarët e paralajmëruar nga mbrojtja e të akuzuarit të parë, në seancën e sotme janë paraqitur vetëm dy. 
 
“Shtrohet seriozisht pyetja, a ekziston fare ajo piroteknikë e shumëpërfolur? Në bazë të cilave të dhëna është propozuar si dëshmitar, nëse nuk mund të përcaktohet as adresa e tij? Dëshmitari Bojan nga Gjevgjelia nuk i konfirmoi pretendimet e mëparshme se pajisjet e zërimit kishin marrë flakë. Sipas dëshmisë së tij, nuk kishte pasur zjarr, por vetëm tym. Nga këtu shtrohet pyetja se cili është kontributi real i dëshmisë së tij në përcaktimin e shkaqeve dhe përgjegjësisë për tragjedinë.”, - theksoi prindi, Aleksandar Naumov. 
 
Për seancën e sotme gjyqësore, mbrojtja e të akuzuarit të parë, Dejan Jovanov, kishte propozuar gjithsej shtatë dëshmitarë, prej të cilëve vetëm dy ishin të pranishëm dhe u dëgjuan. Nga dëshmitarët e tjerë, mbrojtja e Jovanovit tërhoqi dy, për njërin njoftoi se kishte probleme me adresën, ndërsa dy të tjerë, të thirrur për seancën e sotme, nuk ndodhen në vend dhe kanë paralajmëruar se do të mund të jenë të pranishëm nga fundi i dhjetorit dhe gjatë janarit.
 
BELINDA KOKA ADEMI