Trajnime për qasje në informacione publike, kërkohet më shumë transparencë dhe llogaridhënie

24.11.2026 15:01

Personat që punojnë në institucione...

Personat që punojnë në institucione duhet të jenë llogaridhënës dhe të orientuar drejt shërbimit, në mënyrë që informacionet t’i dorëzojnë në kohë, brenda afatit ligjor prej 20 ditësh.

Këto, sipas drejtorit të Agjencisë për të drejtën në qasje të lirë në informata më karakter publik, janë edhe objektivat kryesore të projektit IPA të Bashkimit Evropian.

“Do të ishte mirë sikur të kishim mundësi dhe më shumë hapësirë që të kemi trajnime edhe për qytetarët, thjesht që të mund të prezantohet se çfarë në fakt paraqet e drejta për qasje në informacione me karakter publik.”, - deklaroi drejtori i ADQLIKP-së, Petar Gajdov.

Përveç trajnimeve, nevojitet edhe përforcim i kapaciteteve kadrovike në institucionet shtetërore, në mënyrë që ato të mund t'u përgjigjen në mënyrë më efikase kërkesave dhe nevojave të qytetarëve për informacione me karakter publik. Një pjesë e këtij procesi është edhe harmonizimi i legjislacionit të Maqedonisë së Veriut me standardet evropiane, përmes projektit që po zbatohet me mbështetjen e Gjermanisë.

Synimi është përmirësimi i mekanizmave institucionalë dhe krijimi i kushteve për një administratë më transparente dhe më të përgjegjshme.

“Liria e qasjes në informacione me karakter publik është shtyllë kryesore për një jetesë demokratike dhe kjo është shumë e rëndësishme, me qëllim që qytetarët të kenë pasqyrë se si shpenzohen paratë dhe për çfarë qëllimi shpenzohen paratë e qytetarëve.”, - u shpreh Stefano Elero nga Delegacioni i BE-së në vend.

Institucionet e hapura, të cilat e informojnë publikun në kohë dhe në mënyrë të besueshme për politikat që zbatojnë, përbëjnë një nga parimet themelore edhe të Bashkimit Evropian.

Transparenca dhe qasja në informacion janë të rëndësishme për forcimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe për funksionimin demokratik të shoqërisë.

Në fokus të projektit mbetet përmirësimi i komunikimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, si dhe garantimi i së drejtës për qasje në informacione me karakter publik. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)