Ekonomi

Buxheti 2027, VMRO: 18 mld denarë shtesë për investime

24.11.2026 15:22

Shumica parlamentare thotë se propozim-buxheti për vitin 2027 është zhvillimor dhe fokusohet te projektet infrastrukturore strategjike...

Shumica parlamentare thotë se propozim-buxheti për vitin 2027 është zhvillimor dhe fokusohet te projektet infrastrukturore strategjike, si Korridori 8, Korridori 10d dhe rruga Shkup-Bllacë. Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE thotë se rreth 663 milionë euro janë alokuar për investime kapitale. 
 
“Janë planifikuar 18 miliardë denarë shtesë për investime përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Nga kjo shumë, mbi 12 miliardë denarë janë caktuar për ndërtimin e akseve rrugore Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan dhe Prilep–Manastir, të cilat janë pjesë e korridoreve strategjike infrastrukturore 8 dhe 10d. Gjithashtu, vazhdojnë punimet në akset rrugore Kërçovë–Ohër, Kërçovë–Bukojçan dhe Shkup–Bllacë, duke krijuar kushte për një lidhje më të mirë rajonale, trafik më të sigurt, transport më të lehtë të mallrave dhe shërbimeve, si dhe konkurrueshmëri më të lartë për ekonominë maqedonase.”, - deklaroi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Po na refuzojnë amendamentet
 
Por, opozita thotë se buxheti i vitit të ardhshëm nuk parashikon rritje rrogash, por mjetet alokohen për shlyerjen e borxheve. Fatmir Bytyqi nga LSDM-ja thotë se kanë propozuar qindra amendamente, por nuk pret që shumica parlamentare t’i pranojë ato.
 
“Nuk kemi pritje se shumica parlamentare do të pranojë ndonjë propozim. Mos të harrojmë, kishim propozim që paga minimale të bëhet 600 euro, edhe pse kemi njëfarë bindje se ata vetë do ta bëjnë këtë në periudhën e ardhshme.”, - theksoi Fatmir Bytyqi nga LSDM.
 
Përveç financimit të deficitit buxhetor, do të ketë fonde për të mbuluar borxhet, përfshirë një eurobond prej 500 milionë eurosh nga viti 2023. Deri në vitin 2027, borxhi publik pritet të arrijë në 12,3 miliardë euro, ndërsa parashikimet paraprake e vendosin atë në nivelin 59,7% të Bruto Prodhimit Vendor. 
 
BENJAMIN ARIFI