Ekonomi

Kërkesa për shtrenjtimin e Energjisë Elektrike dhe ngrohjes, KRrE: MEPSO-ja kërkon rritje prej 97,68%

24.11.2026 15:34

Qytetarët mund të përballen me fatura më të larta për ngrohjen qendrore dhe energjinë elektrike pas Vitit të Ri....

Qytetarët mund të përballen me fatura më të larta për ngrohjen qendrore dhe energjinë elektrike pas Vitit të Ri. Kompanitë e furnizimit me energji termike kanë dorëzuar kërkesat për rritjen e tarifave, ku “EEM Furnizimi” dhe “Shkupi Veri” kërkojnë shtrenjtim prej 7,5 për qind, ndërsa “EEM Energjetika” kërkon rritje prej 7,2 për qind. Rritje edhe më të larta janë propozuar për konsumatorët juridikë. 
 
Ndërkohë, pasiguri ka edhe sa i përket çmimit të energjisë elektrike. Sipas informacioneve nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, deri në fund të dhjetorit pritet të merret vendimi për tarifat e reja, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 1 janari.
 
“Deri në fund të dhjetorit pritet të merret vendimi për çmimin e ri të energjisë elektrike, që do të hyjë në fuqi nga 1 janari. Pritet informacioni nga tenderi për prokurimin e energjisë për mbulimin e humbjeve, për të parë se me çfarë çmimi do ta mbyllë kompania. Kompania MEPSO kërkon rritje prej 97,68%.”, - thanë nga KRrE.
 
Halili: Çdo shtrenjtim ndikon në koston e jetesës
 
Eksperti ekonomik, Faton Halili, vlerëson se çdo rritje e faturave të energjisë paraqet një barrë shtesë për qytetarët, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta dhe pensionistët. Sipas tij, energjia elektrike dhe ngrohja nuk janë shpenzime luksi, por nevoja të domosdoshme, ndërsa shtrenjtimi i tyre mund të ketë pasoja më të gjera ekonomike.
 
“Në një ekonomi si kjo e jona, ku pagat nuk janë në rritje proporcionale me shpenzimet e jetesës, çdo rritje e faturave të energjisë elektrike përbën kërcënim serioz për xhepin e qytetarëve. Kjo ndikon në rritjen e kostos së jetesës, në rënien e fuqisë blerëse dhe në rrezikun e një vale të re inflacioni. Prandaj, shteti duhet të përdorë të gjithë mekanizmat që ka në dispozicion për t'i mbështetur qytetarët, veçanërisht kategoritë sociale dhe pensionistët, të cilët duhet të subvencionohen dhe të përkrahen.”, - theksoi eksperti ekonomik, Faton Halili.
 
Vendimet përfundimtare të KRrE-së do të përcaktojnë se sa do të paguajnë qytetarët për energjinë elektrike dhe ngrohjen gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se çdo shtrenjtim i energjisë mund të reflektohet edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve, duke shtuar presionin mbi buxhetet familjare.
 
FITORE NAGAVCI