Maqedoni

Ahmeti, letër të hapur Shasivarit: Jurisprudenca duhet të jepet edhe në Gjuhën Shqipe

24.11.2026 15:36

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i ka drejtuar një letër të hapur ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari...

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i ka drejtuar një letër të hapur ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke kërkuar zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Në letrën e tij, Ahmeti thekson se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2018 dhe në fuqi që nga viti 2019, garanton përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat para institucioneve shtetërore. Sipas tij, provimi i jurisprudencës duhet të mundësohet edhe në shqip dhe çdo zgjidhje që e kufizon këtë të drejtë është në kundërshtim me ligjin.
 
“Dua ta bëj të qartë edhe njëherë: Provimi i jurisprudencës duhet të jepet edhe në gjuhën shqipe. Çdo zgjidhje tjetër, e cila do ta kufizonte apo do ta kushtëzonte përdorimin e gjuhës shqipe në këtë provim, është në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Nuk ka hapësirë për interpretime jo-juridike apo politike, improvizime institucionale apo zgjidhje të pjesshme aty ku ligji e ka përcaktuar qartë të drejtën dhe detyrimin për zbatimin e saj.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Shasivari: I njoh nga afër barrierat gjuhësore
 
Në përgjigjen e tij, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se kjo çështje nuk është krijuar me ardhjen e tij në detyrë, por ka mbetur e pazgjidhur për vite me radhë. Shasivari thekson se që nga viti 2001, tetë ish-ministra shqiptarë të Drejtësisë nga radhët e BDI-së kanë pasur mundësinë dhe përgjegjësinë institucionale për ta zgjidhur këtë çështje, por nuk e kanë bërë.
 
“Si profesor universitar i Drejtësisë, me mbi 25 vjet përvojë, i njoh nga afër barrierat gjuhësore me të cilat janë përballur breza të tërë studentësh shqiptarë. Sot, si ministër i Drejtësisë, kam mundësinë dhe përgjegjësinë për ta ndryshuar këtë realitet. Prandaj, atyre që për vite me radhë kanë mbajtur përgjegjësinë institucionale për këtë çështje, më së paku u ka hije që sot ta paraqesin iniciativën aktuale si një problem të lindur dje apo të paraqiten si mbrojtësit e vetëm të të drejtave gjuhësore.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
 
Ministri thekson se synimi i tij është një zgjidhje ligjore, funksionale dhe afatgjatë, e cila do të vlejë për të gjithë kandidatët e tanishëm dhe të ardhshëm që dëshirojnë të japin provimin e jurisprudencës.
 
BENJAMIN ARIFI