Rajon

Shqipëri, Rama: Nisi sistemi unik i gjobave

24.11.2026 15:58

Kryeministri Edi Rama prezantoi sistemin unik të gjobave në Shqipëri....

Kryeministri Edi Rama prezantoi sistemin unik të gjobave në Shqipëri. Me sistemin e ri merr fund epoka e gjobave që vendosen në copa letre dhe se çdo masë administrative do të pasqyrohet në llogarinë E-Albania të çdo qytetari, bëri të ditur Rama. Po ashtu të gjithë efektivët e policisë dhe inspektorët në terren do të pajisen me kamera trupore që do të monitorojnë sjelljen ndaj qytetarëve. 
 
“Të gjitha institucionet që ju drejtoni, mund tani të hyjnë në një epokë të re të vendosjes së gjobës nëpërmjet mjeteve të teknologjisë digjitale, gjë që sjell në radhë të parë njoftimin e menjëhershëm të qytetarit përmes platformës E-Albania, e cila njëkohësisht çon në mënyrë automatike një mesazh në telefonin e qytetarit. Nga ana tjetër, të gjitha gjobat mblidhen në një bazë të dhënash dhe çdo qytetari i jepet mundësia që të kontrollojë tek mesazhet e tij në E-Albania gjobat që ka. Së shpejti do të fillojë dhe zbatimi i atij projektit që kemi bërë publik, për pajisjen e të gjithë punonjësve të Policisë dhe inspektorëve të terrenit me kamera. Kamera trupi, të cilat do të jenë aktive gjatë gjithë kohës dhe të cilat do të jenë po ashtu pjesë e sistemit të Inteligjencës Artificiale që kemi, tanimë, ndërtuar në qendrën e madhe të monitorimit.", - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 
 
Sipas kryeministrit Rama, këto masa e ngrenë në një nivel tjetër marrëdhënien e qytetarit me shtetin dhe të shtetit me qytetarin; krijojnë kushte tërësisht të reja për të përmirësuar në mënyrë të shpejtë dhe shumë të ndjeshme të gjithë parametrat e sjelljes së administratës në raport me qytetarin.
 
GYLTENE SINANI