Maqedoni
Samiti i Partive Popullore Evropiane, pjesëmarrës edhe kryeministri Gruevski
25.06.2015 17:42
Kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka marrë pjesë në Samitin e rregullt të Partive Popullore Evropiane...

Kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka marrë pjesë në Samitin e rregullt të Partive Popullore Evropiane, në të cilin kanë marrë pjesë shefat e partive dhe liderët politik nga e djathta evropiane, mes të cilëve edhe njerëzit e parë të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, Zhasn Kllod Junker dhe Donald Tusk.
Sipas Gruevskit, ky samit është një mundësi për t’u takuar me elitën politike evropiane dhe të informohen se çka po ndërmerr Qeveria e Maqedonisë për tejkalimin e krizës politike.
“Kjo ishte një mundësi e mirë për t’u takuar me shumicën e liderëve prezent dhe në mënyrë joformale të diskutoj me ta, para së gjithash për Maqedoninë dhe krizën politike në vend dhe obligimet tona për të tejkaluar këtë krizë. Siç e dini, qeveria i ka pranuar edhe rekomandimet e Komisionit Evropian, që kanë të bëjnë me reformat e mëtutjeshme dhe rritjen e standardeve në më shumë sfera, kryesisht sfera të përfshira në kapitullin 23 dhe 24. Plani ynë është që kjo të zhvillohet me dinamikë të shpejtë dhe ashtu do të zhvillohet”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Në Samitin e Partive Popullore Evropiane debati u përqendrua në krizën ekonomike, relacionet e BE-së me Greqinë, si dhe në gjendjen alarmante me emigrantët, me çka më të prekura janë vendet e Evropës jugore, ndërsa është konstatuar se problemi nuk mund të zgjidhet në kufijtë nacional, prandaj nevojitet politikë e përbashkët evropiane.
BESIM ABDULLAI
