Maqedoni

Gostivar, filloi Kolonia Artistike “Gostivari 2015”

25.06.2015 17:45

Me një ceremoni solemne të mbajtur mbrëmë në mjediset e Restorantit “Panorama”, në Gostivar...

Me një ceremoni solemne të mbajtur mbrëmë në mjediset e Restorantit “Panorama”, në Gostivar, Shoqata e Artistëve Figurativ “Draudacum” shënoi fillimin e Kolonisë Artistike “Gostivari 2015”, eveniment ky jubilar dhe tradicional, i cili po realizohet për të dhjetin vit me radhë.
 
Në koloninë e sivjetme marrin pjesë rreth 50 piktorë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Turqia, Italia, Franca, Sllovenia, Kroacia, Mongolia, Egjipti dhe Rumunia, të cilët për 5 ditë me radhë do të pikturojnë së bashku dhe do të shkëmbejnë përvojat e tyre.
 
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari i Shoqatës së Artistëve Figurativ “Draudacum”, Reshat Ameti, shprehu mirënjohje për artistët pjesëmarrës, si dhe për Komunën e Gostivarit dhe Ministrinë e Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e kësaj kolonie artistike.
 
Të pranishmit i përshëndeti edhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, i cili qytetin e Gostivarit e cilësoi si bosht të ngjarjeve kulturore, duke paralajmëruar mbështetjen e mëtejme të projekteve dhe iniciativave kulturore në qytetin e Gostivarit.
 
Në kuadër të kësaj kolonie, ditën e diel, më 28 qershor, në Pallatin e Kulturës do të bëhet hapja e ekspozitës me veprat të cilat do të krijohen gjatë kësaj kolonie.
 
Mbyllja do të bëhet  me një program të begatshëm me rastin e  ceremonisë të Ditës së Komunës.
 
LULZIM HAIRI