Maqedoni

Mbrojtja e grave nga dhuna, përmirësimi i veprimit institucional

25.11.2026 13:25

Në fokus të diskutimit ishte nevoja për shërbime të specializuara, përgjegjësi institucionale dhe hetim të mirëfilltë të rasteve të femicidit dhe tentativave për femicid.....

Mungesa e mbrojtjes së duhur institucionale, reagimi i pamjaftueshëm ndaj rasteve të dhunës dhe mungesa e llogaridhënies për dështimet institucionale ishin disa nga shqetësimet e ngritura në diskutimin publik, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Përfaqësueset e organizatave që punojnë në fushën e barazisë gjinore dhe mbrojtjes nga diskriminimi theksuan se, pavarësisht ekzistimit të ligjeve dhe mekanizmave për mbrojtjen e grave, zbatimi i tyre në praktikë vazhdon të jetë problematik. Në fokus të diskutimit ishte nevoja për shërbime të specializuara, përgjegjësi institucionale dhe hetim të mirëfilltë të rasteve të femicidit dhe tentativave për femicid.
 
“Për të siguruar mbrojtje të mjaftueshme, është e nevojshme të ekzistojë një sistem kombëtar gjithëpërfshirës i shërbimeve të specializuara. Ato aktualisht nuk ekzistojnë, ose ekzistojnë në një numër jashtëzakonisht të vogël, çka do të thotë se ofrojnë mbrojtje për një numër jashtëzakonisht të vogël viktimash.”, - deklaroi Elena Dimushevska nga Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave.
 
“Nëse gjykojmë retrospektivisht në lidhje me atë që ka ndodhur vitet e fundit, sa herë që mediat e ndjekin nga afër një rast të caktuar, ndodh njëfarë lëvizje nga ana e institucioneve, megjithatë nga e njëjta nuk ka epilog. Kështu që mendoj se pyetja konkrete drejtuar deputetëve është pse në disa raste ka pasur angazhime dhe përpjekje konkrete, megjithatë nuk ka asnjë ndryshim në terren.”, - theksoi Atanas Avramov nga Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi.
 
“Në të gjitha këto femicide që na kanë ndodhur dhe tentativat për femicide, institucionet kompetente për hetimin e veprimeve duhet ta kryejnë këtë siç duhet: të vlerësojnë nëse është bërë një vlerësim i duhur i rrezikut, apo nëse ai nuk është bërë fare, dhe kush konkretisht mban përgjegjësi dhe duhet të përgjigjet.”, - theksoi Natasha Petkoska nga Platforma për Barazi Gjinore.
 
Mesazhi i përbashkët i përfaqësueseve ishte se mbrojtja e grave nuk mund të mbetet vetëm në nivel të ligjeve, deklaratave dhe reagimeve pas tragjedive. Nevojiten mekanizma funksionalë, shërbime të qasshme për viktimat, vlerësim serioz i rrezikut dhe përgjegjësi konkrete për institucionet që nuk veprojnë në kohë. Mbrojtja duhet të garantohet para se dhuna të përfundojë në tragjedi, e jo vetëm pasi të jetë marrë një jetë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU